Caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin e dhunimit të 11-vjeçares pasi Apeli e ktheu në rigjykim

E publikuar: 09/09/2023 12:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim çështjen penale të dhunimit të 11-vjeçares, pasi Themelorja në shkurt të këtij viti ua kishte shqiptuar katër të akuzuarve dënimin me 40 vjet burgim.

Lajmin për Klankosova.tv e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila tha se seanca për shqyrtimin gjyqësor është caktuar më 22 shtator.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se rasti në fjalë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit e Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor me datë 22 shtator 2023 në ora 09.00. Seanca është e mbyllur për publikun sipas Kodit të Drejtësisë për të Mitur”, tha Gashi, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë se më 24 shkurt, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj katër personave, të cilët u gjeten fajtorë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Nga Gjykata Themelore, i akuzuari E.R. ishte shpallur fajtor për veprën penale “dhunim”, ku ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh.

I akuzuari Xh.S., ishte shpallur fajtor për dy vepra penale, atë të “dhunimit” si dhe veprën penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”, teksa është dënuar me 8 vjet burgim.

Ndërsa, i mituri G.R., ishte shpallur fajtor për veprat penale “dhunim”, “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi” dhe “ndihmë në kryerjen e veprës penale ‘dhunimi’”, ku është dënuar me 9 vjet burgim.

Kurse, i mituri G.J., ishte shpallur fajtor për dy vepra penale, “dhunimi” dhe veprën penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”, ku ndaj tij është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 9 vjetësh.

Pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares, ish-drejtori i policisë, Samedin Mehmeti, pati dhënë dorëheqje, duke thënë se dorëheqja e tij vjen për arsye personale e profesionale.