Eugen Cakolli nga IKD ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se përveç afatit 30-ditor, tashmë po shpërfillet edhe afati 48-orësh i përcaktuar për vazhdimin e procesit.
Cakolli ka thënë se shkeljet e afateve po normalizohen, nëse ato nuk kanë pasoja juridike.
“Përveçse u shkel afati 30-ditor, tashmë po shpërfillet edhe vetë kufiri 48-orësh, që fillimisht u përdor si mjet për ta shtyrë procesin pas afatit”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, kjo situatë e bën edhe më urgjente dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, veçanërisht për shkak të afatit tetëditor për kontestimin e vendimit të Kuvendit.
Ai ka argumentuar se, pa një vendim të Kushtetueses, procesi i konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe fillimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit mbetet pezull.



























