Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që ndodhen në Kosovë për protesta që po zhvillohen në Prishtinë dhe që pritet të vazhdojnë edhe gjatë javëve të ardhshme.
Në njoftimin e publikuar të enjten, më 12 nëntor, Ambasada bën të ditur se pjesëmarrësit në protesta pritet të mblidhen kryesisht në qendër të kryeqytetit, ndërsa tubimet mund të zgjerohen me shpejtësi edhe në zonat përreth, pa paralajmërim të mjaftueshëm.
Sipas Ambasadës, protestat dhe tubimet e mëdha mund të nisin në mënyrë paqësore, “por të përshkallëzohen shpejt pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në trafik, në shërbime dhe, në disa raste, mbyllje të rrugëve”.
“Personeli i Ambasadës në Prishtinë gjithmonë këshillohet që të shmangë protestat dhe tubimet e mëdha”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada paralajmëron se në orët para dhe gjatë protestave mund të ketë shtim të pranisë policore, mbyllje të rrugëve, devijime të qarkullimit dhe vështirësi në trafik.
Qytetarëve që ndodhen pranë zonave ku zhvillohen protestat u bëhet thirrje të jenë të kujdesshëm dhe t’i japin përparësi sigurisë personale.
Në mesin e rekomandimeve është edhe përcjellja e mediave lokale për informacione të përditësuara, por edhe përditësimet e vetë Ambasadës.
































