Rrëshqitja e dheut në lagjen Çamëria në Kamenicë ka bllokuar qarkullimin e tetë familjeve disa prej të cilave janë në këtë lagje dhe të tjera në fshatin Gurgulloc. Rrëshqitjet pas të cilave është çarë toka kanë ardhur si pasojë e të reshurave të fundit atmosferike.
Pas kësaj ngjarjeje, këtë lagje dolën për ta vizituar nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi bashkë me zyrtarët e Mbrojtjes dhe Shpëtimit dhe ata të Urbanizmit .
Për të diskutuar për këtë situatë në Kamenicë ka ardhur edhe koordinatori i Emergjencave në nivel rajonal Salih Mustafa, përmes të cilit zyrtarët komunal do të dërgojnë raport të përbashkët në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në Agjencionin e Menaxhimit të Emergjencave, raporton gazeta Blic.
Në bazë të këtij raporti do të ndërmerren hapat e mëtejmë dhe do të rekomandohen banorët për ndonjë evakuim eventual.