BQK përmbyll periudhën transitore për zbatim të rregullores për pagesa me para të gatshme

E publikuar: 13/05/2024 19:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme.

Më 1 shkurt të këtij viti, BQK-ja e kishte fuqizuar rregulloren e re, e cila parasheh që euroja të jetë valuta e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Një vendim i tillë pati zemëruar Serbinë, e cila deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.

BQK-ja ka thënë të hënën se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Ky institucion ka thënë se ka vendosur edhe 38 bankomatë apo pajisje të ngjashme të vetëshërbimit financiar.

Periudha transitore për zbatim të rregullores – prej 1 shkurtit, deri në fund të prillit – është zbatuar pas kritikave në rritje të faktorit ndërkombëtar për rregulloren që prek dinarin.

Faktori ndërkombëtar pati reaguar me arsyetimin se rregullorja është zbatuar në periudhë të shkurtër kohore, pa ofruar alternativa të qëndrueshme për serbët që përdorin dinarin.

Megjithatë, gazetarë të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se pavarësisht kalimit të periudhës transitore, dinari po vazhdon të qarkullojë.

Po ashtu, është mësuar se Posta e Serbisë në veri, të hënën, nuk ka bërë pagesa në dinarë.