Boks, rrëfimi i Fury: Përdorja kokainë

E publikuar: 05/10/2016 12:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pasi njoftoi tërheqjen dhe në harkun e pak orëve lajmëroi se “sapo të ndihej më mirë do të mbronte atë që ishte e tija, pra titullin në peshat e rënda”, Tyson Fury vendosi të rrëfehej për revistën “Rolling Stones”.

Boksieri anglez pranoi abuzimin me alkool dhe kokainë, të cilat i përdorte për të dalë nga depresioni. “Ishin të vetmet që më ndihmonin të mos mendoja. Është jeta ime dhe mund të përdor çfarë të dua. Kokaina nuk është doping dhe nuk përmirëson paraqitjet në ring. Asnjëherë nuk kam përdorur substanca të ndaluara”, tha Fury.

Kampioni i titullit WBA dhe WBO nënvijëzoi se nuk përdor më drogë prej 1 Tetorit dhe kjo cilësohet si arsyeja e njoftimeve kontradiktore rreth karrierës së tij si boksier profesionist.

Javën e kaluar, televizioni Espn zbuloi se britaniku 28-vjeçar rezultoi pozitiv me kokainë gjatë kontrollit të urinës, të kryer nga Agjencia Vullnetare e Anti-Dopingut në Las Vegas, në një studim mjekësor privat, të kryer nga kompania që do të organizonte revansh me Vladimir Klitschko, që fillimisht ishte përcaktuar të zhvillohej më 29 Tetor në Manchester.

Akuza e parë për pozitivitetin e Tyson Fury-t u publikua nga tabloidi “The Mirror”, në Shkurt të vitit 2015, nëntë muaj përpara triumfit ndaj Klitschko-s, ku dyshohej se boksieri anglez kishte përdorur steroidë.

Në fund, Fury konfirmoi se arsyeja e dy tërheqjeve nga dueli me Klitschko-n lidhej me faktin se nuk ishte stërvitur për shkak të depresionit.