BKS: Mërgimtarëve që paguan primën e policës së sigurimit në kufi do t’u kthehen të hollat

E publikuar: 20/12/2020 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), përmes një postimi në rrjetin Facebook, njofton se të gjithë bashkatdhetarët të cilët kanë paguar primën e sigurimit për polica gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, mund të shkojnë në zyrën qendrore të kësaj byroje për kthimin e mjeteve financiare.

“Për shkak të kohës së shkurtë që kemi pasur në dispozicion për përshtatjet teknike dhe adaptimit të zbatimit të kësaj marrëveshje, problemet teknike si kjo janë shfaqur vetëm tani dhe kjo veçse është trajtuar dhe rregulluar”, thuhet në njoftim.

Ky është njoftimi i plotë:

Sot përmes mediave jemi informuar se gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, disa nga ju keni paguar primin e sigurimit kufitar për të cilin, përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar se do të mbulojë koston e këtyre policave të lëshuara deri me datë 31.12.2020.

Për shkak të kohës së shkurtë që kemi pasur në dispozicion për përshtatjet teknike dhe adaptimit të zbatimit të kësaj marrëveshje, problemet teknike si kjo janë shfaqur vetëm tani dhe kjo veçse është trajtuar dhe rregulluar.

Të gjithë qytetarët që kanë paguar primin e sigurimit për policat e sigurimit të lëshuara sipas marrëveshjes së bashkëpunimit të datës 30.07.2020, mund të vijnë në zyrën qendrore të Byrosë Kosovare të Sigurimit për kthimin e primit të paguar.

Ndryshe, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se nga 1 gushti 2020, e deri në fund të këtij viti, Qeveria e Kosovës mbulon koston e plotë të primit të policës së sigurimit për veturat e bashkatdhetarëve.