Berisha shpall grevë – Opozita në Shqipëri i rrëzon karriget dhe lëshon tymuese në seancë të Kuvendit

E publikuar: 02/11/2023 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është zhvilluar me tensione seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës siç edhe paralajmëruan kanë kthyer përmbys karriget e deputetëve socialistë duke penguar vijimin e seancës.

Teksa kanë bllokuar foltoren në Kuvend, deputetët e opozitës kanë vendosur ta çojnë deri në fund paralajmërimin e tyre për të penguar punën.

Ndërkohë deputeti Ervin Salianji ka ndezur tymuese në Kuvend.

Gjithashtu deputetët e opozitës kanë krijuar zhurma duke përplasur tavolinat. Nga ana tjetër deputetët e Partisë Socialiste miratojnë projektligjet në rendin e ditës.

Sali Berisha dhe deputetët e tij kanë shkuar sot në Kuvend me një skenar të përgatitur për bllokuar punimet e parlamentit.

Berisha ka folur në Kuvend ndërsa e kishte ndarë videon në Facebook.

Ai u tha deputetëve socialistë që më mirë të ikin se po shpallin grevë.

“Ne shpallim grevë. Kjo që shihni është grevë. Më mirë të ikni”, tha Berisha.