Berisha rikthehet në PD: Marr përsipër problemet e krijuara nga drejtimi i Bashës

E publikuar: 25/03/2022 20:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga selia e Partisë Demokratike, ku shkoi pas rreth tre muajsh, Sali Berisha, bëri thirrje për bashkimin e demokratëve dhe t’i shtrijnë dorën njëri-tjetrit.

Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri Berisha pranoi se Partia Demokratike ka kaluar në një krizë të rëndë.

Por, problemeve të shkaktuara nga drejtimi i ish-kryetarit Lulzim Basha, që nga shtatori i vitit 2021, Sali Berisha tha se merr përsipër t’iu japë zgjidhje.

“T’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit sot dhe të bashkohemi për interesin më të madh të vendit. Sot PD-ja është parti e të gjithë demokratëve, prej saj nuk ka dhe nuk mund të ketë të larguar. Nuk mohohet se partia kaloi një krizë për shërimin e të cilës është në detyrimin e çdo demokrati të kontribuojë. Pas 6 marsit kam marrë takime të përditshme me kryetarë të degëve të PD-së, të rretheve të ndryshme të vendit, të cilët deri më 6 mars nuk kanë mbështetur lëvizjen e nisur. Shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin tim se në këto takime kam gjetur angazhimin e tyre të plotë për të kontribuuar në procesin e bashkimit të PD-së.

I kam siguruar dhe siguroj se çdonjëri prej tyre ka besimin e plotë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së për të kandiduar për çdo post që dëshiron dhe theksoj se statuti i 11 dhjetorit nuk ka kufizim për numrin e mandateve të kryetarëve të degëve. Disa prej tyre më kanë shprehur që zgjedhja për kryetarët e degëve të shtyhet nga data 3 në datën 20 prill.

Unë diskutova këtë çështje në Komisionin e Rithemelimit dhe komisioni ishte plotësisht dakord. Z. Basha ka dhënë dorëheqjen dhe marr përsipër problemet e krijuara nga drejtimi i tij nga shtatori e këtej. Logoja, në mënyrë të padrejtë, nuk iu dha Partisë Demokratike. Sot këta faktorë nuk ekzistojnë më, sot PD-ja ka një logo zyrtare të regjistruar në gjykatë, sot PD-ja ka një statut të një kuvendi më të pashembullt në historinë e saj”, theksoi Sali Berisha./tvklan