Beogradi zemërohet me deklaratën e Malit të Zi se do të luftonte për të mbrojtur Kosovën

E publikuar: 01/07/2017 17:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Predrag Boshkoviq, ka nxitur zemërim të madh në Beograd me deklaratën se “vendi i tij do të luftojë edhe në Kosovë, nëse kjo kërkohet nga NATO”.

Boshkoviq, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ka thënë se Mali i Zi, “natyrisht, në cilindo version, do të merrte pjesë në çfarëdo aksioni të cilin NATO e përcakton si marrëveshje të përbashkët të të gjithë 29 anëtarëve – qoftë në Kosovë, apo në ndonjë pjesë tjetër të globit, pavarësisht situatës sonë të brendshme politike”.

Mali i Zi është anëtari më i ri i aleancës ushtarake dhe kjo lëvizje nuk është pritur mirë nga serbët, transmeton Koha.net.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha të premten se ndonjëherë është më mirë të mos flasësh e të mos komentosh disa deklarata. Vuçiq iu përgjigj një pyetjeje për televizionin publik serb RTS në lidhje me deklaratën e ministrit malazez të mbrojtjes i cili tha se ushtria e vendit të tij do të luftonte në Kosovë nëse NATO-ja do të kërkonte një gjë të tillë.

“Ndonjëherë është më mirë të qëndrosh pa fjalë e të mos komentosh disa deklarata sepse nëse i komenton, dilni jashtë kutisë së mirësjelljes – nëse do të ishit të sinqertë dhe të reagonit në mënyrën adekuate”, ka deklaruar Vuçiq.

“Pastaj, mendoj se mënyra më e mirë për Republikën e Serbisë është të reagojë me heshtje”, shtoi ai.

“Serbët nuk do të sulmohen në Kosovë e Metohi, as nga NATO e as nga Mali i Zi, dhe jo vetëm pse kemi bashkëpunim, marrëveshje, apo pse kemi bashkëpunim korrekt dhe shumë të mirë me KFOR-in dhe NATO-n, por edhe për arsye tjera dhe u them të mendojnë mirë se cilat janë ato arsye”, përfundoi Vuçiq.

Ministri malazez Boshkoviq u pyet edhe për atë nëse anëtarësimi i vendit të tij në NATO është ganacë e mjaftueshme që të mos realizohet “Shqipëria e Madhe”, transmeton Koha.net.

Ai tha se “integrimi i Malit të Zi në NATO i vë vulë çdo projekti aspirues të shtetit të madh në Ballkan, ku përfshihet edhe Mali i Zi”.

“…qoftë ai projekt i Shqipërisë së Madhe, i Serbisë së Madhe apo ndonjë projekt tjetër”, thotë ai, dhe shton se “e ardhmja është në integrimet evropiane, jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.