
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve të 9 shkurtit i ka kritikuar ashpër anëtarët e KQZ-së.
Në raportin që është publikuar të enjten, vëzhguesit e BE-së kanë vlerësuar se gjatë procesit zgjedhor anëtarët e KQZ-së nuk e kanë respektuar ligjin, por kanë mbrojtur interesin e partive të tyre politike.
Në këtë mënyrë, sipas raportit, ata kanë rrezikuar pavarësinë dhe paanshmërinë e institucionit që i organizon dhe administron zgjedhjet në Republikën e Kosovës.
“Pavarësisht nga propozimet politike, legjislacioni zgjedhor i obligon anëtarët e KQZ-së të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme dhe parashikon disa masa për të garantuar pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre. Megjithatë, EU EOM vërejti raste të ndikimit politik në procesin e vendimmarrjes së KQZ-së, me anëtarë individualë që vepronin si mbrojtës të interesave të subjektit që i ka propozuar ata, duke rrezikuar pavarësinë dhe paanshmërinë e KQZ-së”, është thënë në faqen 16 të raportit.
Po në të njëjtën faqe, raporti vijon me kritika tjera ndaj përbërjes aktuale të KQZ-së.
Sipas raportit, anëtarët kanë ndërhyrë edhe në detyrat e Sekretariatit të KQZ-së.
“Modele të tilla u demonstruan gjatë certifikimit të garuesve në zgjedhje, aprovimit të disbursimit të fondeve publike për partitë politike dhe emërimit të organeve të nivelit më të ulët. EU EOM më tej vërejti tendenca të përsëritura të përbërjes aktuale të KQZ-së për të interpretuar gjerësisht kompetencat e saj dhe për të vepruar jashtë fushës së mandatit të saj, duke zgjeruar autoritetin e saj vendimmarrës dhe duke ndërhyrë në detyrat e Sekretariatit dhe Zyrës së KQZ-së. Kjo u mundësua për shkak të mungesës së qartësisë në disa dispozita të LZP”, është thënë në raport.
Për të eliminuar këto ndërhyrje në të ardhmen, vëzhguesit e BE-së kanë rekomanduar disa masa.
“Të forcohen masat mbrojtëse ligjore në lidhje me anëtarësinë dhe sjelljen e zyrtarëve të zgjedhjeve për të garantuar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore. Përgjegjësitë administrative, organizative dhe teknike të KQZ-së i bart Sekretariati i KQZ-së, i cili është drejtuar nga një ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv për shkak të pamundësisë së KQZ-së për të caktuar një të ri”, është thënë në raport, duke përmendur rekomandime tjera për KQZ-në.
“KQZ-ja duhet të sigurojë emërimin me kohë të stafit në pozitat kyçe për të mbështetur kapacitetet operacionale në fushat kryesore shumë përpara zgjedhjeve. Duke funksionuar brenda strukturave të KQZ-së, megjithëse gëzon pavarësi funksionale, Zyra e Regjistrimit, Certifikimit dhe Kontrollit Financiar të Subjekteve Politike (“Zyra”) është përgjegjëse për mirëmbajtjen e regjistrit të partive politike, certifikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhje dhe monitorimin dhe kontrollin e financave të subjekteve politike”, thuhet ndër të tjera në raport.