Valon Hoti, këshilltar i lartë politik i ministrit Liburn Aliu, ka reaguar rreth aksionit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai thotë se ministri Liburn Ali dhe asnjë anëtar i kabinetit nuk është subjekt hetimi për asnjë lëndë, ky sqarim sipas tij, vjen pas tentimeve për manipulim të opinionit publik që ky aksion lidhet me ministrin Aliu.
Ai pretendon se këto janë sulme të koordinuara për MMPHI pasi shton se “kanë prishur shumë matematika dhe kanë ndalur shumë interesa”.
“2. Tek rasti i ambalazhuesëve dhe zhurmave që janë bërë në studio televizive, qëndrojmë deri në fund me argumentet dhe faktet që kemi publikuar e të cilat kanë bërë demantim të shumë zërave propagandues gjithandej;3. Pavarësisht tentativave që për qëllim kanë denigrimin dhe zbehjen e punëva të pashembullta që jemi duke bërë si Qeveri e Ministri, ne nuk ndalemi”.
Hoti përmes një shkrimi në Facebook shton se janë të hapur edhe ta ndihmojnë Prokurorinë.
“4. Jemi të hapur madje edhe të ndihmojmë Prokurorinë e sistemin e drejtësisë për hetimin DERI në FUND të shumë rasteve korruptive që i kemi ndalur por që kanë ndodhur e i kemi denoncuar si kabinet, mirëpo kërkojmë më shumë vullnet e më shumë përkushtim. Mbi 100 lëndë janë të dërguara nga ne në Prokurori. Ende askush nga ne s’është ftuar për t’u pyetur për ndonjërën prej tyre, fatkeqësisht asnjë veprim.
5. Siç duket para zgjedhjeve përpjekjet e gjithanshme nga ish-regjimi do të jenë që të na pengojnë, por nuk do t’ia dalin as kësaj here“, tha ai.
Sipas tij, këto siç thotë ai ‘inskenime’ është e pritshme të bëhen deri në ditën e zgjedhjeve, por shtojnë se nuk do t’ia dalin.