Banorët e Matiqanit me protestë kërkojnë mbylljen e deponisë së dheut

E publikuar: 04/11/2023 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banorët e lagjes “Matiqan”, në Prishtinës, kanë protestuar kundër rihapjes së deponisë së dheut, në këtë lagje. Kjo për shkak të kamionëve që po dëmtojnë rrugën, shkaktojnë aksidente, pluhur dhe zhurmë. Ata madje paralajmëruar protesta më të ashpëra, nëse nuk mbyllet deponia.

Sipas tyre, kjo deponi ishte mbyllur por është rihapur prapë me vendim të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, vendim këtë të cilin e quajnë të jashtëligjshëm, për shkak të mospëlqimit të banorëve që jetojnë aty.

Organizatori i kësaj proteste, Arsim Rexhepi tha se deponia duhet të mbyllet urgjentisht sepse po pengon jetesën e banorëve në lagjen e Matiqanit.

Ai tha kanë bërë kërkesa të vazhdueshme dhe ende nuk ka diçka konkrete. Sipas tij, nëse nuk mbyllet kjo deponi, protestat e ardhshme do të jenë më të ashpra.

Po ashtu, Rexhepi tha se si banorë në protestat e ardhshme do të bllokojnë rrugën për të gjithë kamionët.

Ai shtoi se në hapësirën e deponisë nuk hedhet vetëm dheu por edhe mbeturinat të tjera të cilat po dëmtojnë shëndetin e banorëve.