Bangladeshi i bindet Rusisë e jo SHBA-ve për #KosovaNëUNESCO

E publikuar: 09/11/2015 00:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova, që është duke e vazhduar luftën diplomatike për anëtarësim në UNESCO, ka kërkuar edhe ndihmën e Bangladeshit në këtë aspekt.

Sipas mediave atje, ndihmë nga Bangladeshi për kërkesën e Kosovës që të bëhet pjesë e UNESCO-s ka kërkuar edhe SHBA-ja, ndërsa një kërkesë krejtësisht e kundërt ka ardhur nga Rusia.

“Kemi pranuar kërkesa të kundërta nga SHBA-të dhe Rusia në raport me Kosovën”, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar i Bangladeshit për “DhakaTribune”, transmeton Koha.net.

I pyetur në lidhje me qëndrimin e qeverisë karshi anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ai ka thënë se Bangladeshi nuk e njeh Kosovën.

“Bangladeshi do të pres derisa Kosova dhe fqinji i saj Serbia t’i zgjidhin mosmarrëveshjet”, ka thënë ai.

“Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dashur të takohen me ministrin e jashtëm të Bangladeshit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë muajit shtator për të lobuar për përfshirjen e tyre në UNESCO, por ai nuk është takuar me ta”, ka shtuar ai.

Votimi për pranim të Kosovës në këtë organizatë pritet të zhvillohet nesër në orën 11:30, mirëpo pritet të ketë kundërshtim të madh nga Serbia dhe aleati i saj Rusia.