Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka vlerësuar se me zgjedhjen e kryetarit të ri kjo parti ka promovuar një standard të ri të demokracisë së brendshme në skenën politike të vendit.
Ai ka thënë se duke i dhënë të drejtën secilit anëtar të konkurrojë dhe duke lejuar një debat transparent gjatë Konventës, partia më e madhe në vend ka treguar se ka demokraci të brendshme më të avancuar sesa subjektet e tjera politike.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Bajrami ka bërë me dije se Konventa e PDK-së ka dëshmuar se në Kosovë është i mundshëm tranzicioni i lidershipit në mënyrë demokratike. “Në këtë mënyrë ne kemi promovuar një standard të ri në skenën plurale, një standard të munguar të një demokracie të brendshme ku është realizuar plotësisht parimi kushtetues i gjasave të barabarta, i vetëkandidimit dhe i ofrimit të konkurrencës. Pra, ka qenë një konventë, e cila në tërësi i ka plotësuar standardet e kërkuara ndërkombëtare sa i përket demokracisë së brendshme”, ka thënë Bajrami.
Ai ka treguar se arsyeja pse z. Veseli nuk kishte kundërkandidat ka treguar se ai ka ndërtuar një karizëm.
Sipas Bajramit, gjithë anëtarësia e gjerë e PDK-së e ka parë se njeriu më i duhur për ta udhëhequr partinë pas Hashim Thaçit ka qenë Kadri Veseli. “Faktin që nuk patën një kundërkandidat tregoi se z. Veseli ka ndërtuar një karizëm të një lideri të guximshëm dhe ne nuk kemi dashur të krijojmë një farsë në këtë proces, duke ofruar formalisht një kandidat. Siç e keni parë, edhe vetë z. Veseli ka insistuar deri në momentin e fundit, duke u bërë ftesë publike kandidatëve të tjerë që të kandidojnë, mirëpo ka ekzistuar një konsensus i përgjithshëm se në momentin aktual nuk ka personalitet më të përshtatshëm se z. Veseli për ta marrë kreun e partisë”, ka thënë Bajrami, duke u shprehur i bindur se Veseli do ta ruajë rolin prijës të PDK-së.



















