Avdullah Hoti e godet biografinë e Thaçit: Është e porositur

E publikuar: 09/03/2018 22:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti e ka goditur Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, lidhur me biografinë e tij, e cila është botuar së fundi. Hoti ka thënë se kjo biografi është e porositur. Ai ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova kurrë nuk ka shpenzuar para për biografi të tilla.
“Faktet historike nuk blihen me para. Rugova nuk ka paguar asnjëherë miliona të taksapaguesve për përmirësimin e imazhit të tij, sepse ai nuk kishte nevojë si burrështetas paqësor që ishte, vizionar dhe i pathyeshëm”, ka thënë Hoti.

Gazeta Express ka raportuar orë më parë se si Hashim Thaçi ka paguar para për librin biografinë e tij.

Ky është reagimi i plotë i Hotit:

Faktet historike nuk ndryshohen me biografi të porositura. Të qenit prijës largpamës është një dhunti, e kultivuar gjithë jetën, e bazuar para se gjithash në parime të larta etike. I tillë ishte prijësi i Kosovës dhe arkitekti i pavarësisë, dr.Ibrahim Rugova.

Koha kur Rugova doli në ballë të popullit të Kosovës ishte ogurzezë për popujt e ish-Jugosllavisë. Millosheviqi dhe Akademia Serbe e Shkencave kishin përpiluar planin për Serbinë e Madhe dhe shfarosjen e popujve që nuk nënshtroheshin. Atëbotë Rugova ishte i vetmi që pati guximin t’i prijë popullit.

Në kohën kur filluan luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, Rugova zgjodhi rezistencën paqësore derisa të forcoheshim ushtarakisht. Përmes kësaj rezistence e sensibilizoi arenën ndërkombëtare për padrejtësitë që i bëheshin popullit të Kosovës.

Rugova është i pari prijës që krijoi aleanca me demokracitë më të fuqishme botërore. “Kam pasur nderë ta mbështesë luftën e tij dhe të popullit të Kosovës për paqe dhe liri,” kishte deklaruar Presidenti Clinton. Të tjerë prijës botërorë e quanin “Gandi i Ballkanit”, që me rezistencën aktive paqësore dhe luftën çlirimtare solli Konferencën e Rambujesë, bombardimet e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Përpjekjet për të minimizuar rolin e Rugovës dhe rezistencës paqësore përmes biografive të porositura janë të kota. Në të gjallë të tij, populli i Kosovës i dha përkrahje masive, të papërsëritshme deri më tani, politikës rugoviane në të gjitha zgjedhjet, para dhe pas luftës. Miqësitë e krijuara nga Rugova sot kujdesen për të konsoliduar shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Rugova nuk bënte politikë as nga Shqipëria e as nga Zvicra. Ai përjetonte thundrën e okupimit bashkë me popullin e tij.

Faktet historike nuk blihen me para. Rugova nuk ka paguar asnjëherë miliona të taksapaguesve për përmirësimin e imazhit të tij, sepse ai nuk kishte nevojë si burrështetas paqësor që ishte, vizionar dhe i pathyeshëm.

Përpjeka për të hedhur baltë mbi rolin e rezistencën paqësore rugoviane për shtetësinë e Kosovës është e kotë. Kjo mund të jetë një përpjekje vetëm e atyre që asnjëherë nuk e kaluan hijen e Rugovës. Rugova mbetet figura më e ndritur e përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai lirshëm mund të krahasohet me figurat e rilindjes kombëtare, të cilat i kishte studiuar me pasion dhe shembullin e të cilëve e ndiqte./Express/