Mbledhja e kuponëve fiskalë nga qytetarët doli të jetë një mënyrë e suksesshme për rritjen e të hyrave në buxhet nga tatimet.
Por, institucionet përgjegjëse duket të mos jenë të kënaqura me procesin.
Administrata Tatimore e Kosovës po planifikon të ndryshojë të gjithë sistemin e dorëzimit të kuponëve fiskalë, raporton KTV.
Me modelin e ri, që po pritet të hyjë në fuqi nga tremujori i ardhshëm, plikot me kuponët e mbledhur do të zgjidhen në një format lotarie. Madje, nuk po përjashtohet mundësia që përzgjedhja të kalojë edhe në Lotarinë e Kosovës dhe të rriten shpërblimet.
Sakip Imeri, drejtor i ATK-së, është optimist se ky veprim nuk do të ndikojë në uljen e numrit të qytetarëve që do të dërgojnë pliko me kuponë fiskalë.
Por, është pikërisht kjo çështje që pritet të ndikojë në gatishmërinë e qytetarëve që të mbledhin kuponët fiskalë. Këta të fundit i kanë thënë KTV-së se nëse ATK-ja ndërmerr një hap të tillë, atëherë ata nuk do të mbledhin më kuponë fiskalë.
Vlera e rimbursimeve për kuponët fiskalë deri në fund të 2016-ës ishte 15.5 milionë euro.