Asgjë e qartë për të ardhmen e stadiumit “Fadil Vokrri”

E publikuar: 23/08/2018 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Akoma s’është qartësuar asgjë për të ardhmen e stadiumit të rinovuar të Prishtinës, “Fadil Vokrri”.

Pas takimit tre palësh mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, është vendosur që pranimi teknik nga autoritetet vendase të bëhet vetëm pas vendimit të UEFA-s për licencim.

Në takimin e sotëm u vendos që ndeshja kampionale e 2 shtatorit mes Prishtinës dhe Drenicës të zhvillohet në këtë stadium, si lojë testuese, ndërsa për shkak të mospranimit teknik ishte shtyrë për afat të pacaktuar ndeshja mes Prishtinës dhe Gjilanit, e paraparë për të hënën.

Dyshime nëse Kosova mund të luajë në Prishtinë

Edhe pse MKRS deklaroi se ka indikacione se “Fadil Vokrri” plotëson kriteret e UEFA-s, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka përjashtuar mundësinë që të ketë nevojë për intervenime shtesë për të plotësuar kriteret e kërkuara.

“UEFA ende nuk ka vendosur për licencimin e stadiumit Fadil Vokrri ndërsa pritet që përgjigja të merret në ditët në vijim. Me këtë raport punëkryesi (AlTrade) dhe investitorët, MKRS si investitor kryesor dhe Komuna e Prishtinës presim të dimë se a ka nevojë për intervenime shtesë. Në qoftë se jo atëherë edhe zyrtarisht fillojmë procedurën e pranimit teknik”, ka shkruar Ahmeti në Facebook. “Në ndërkohë jemi dakorduar që me 2 shtator të zhvillohet edhe një lojë testuese e cila në të njejtën kohë është lojë kampionale Prishtina – Drenica, para ndeshjes që pritet të zhvillohet në mes të Kosovës dhe Ishujve Faroe me 10 shtator (në qoftë se stadium licencohet nga UEFA)”.

Ky stadium u testua dhjetë ditë më parë në kuadër të Superkupës së Kosovës, ku u përballën Drita dhe Prishtina. Ndeshja qe zhvilluar nën mbikëqyrjen e UEFA-s dhe krerët e FFK-së kishin deklaruar se presin shumë shpejt përgjigjen nëse stadiumi është pranuar apo jo, por një gjë e tillë akoma s’ka ndodhur.

Për rinovim të stadiumit u deshën disa vite, teksa edhe pas përfundimit të plotë të tij ekziston rreziku që Kosova të mos luajë ndeshjet ndërkombëtare në Prishtinë.