As ilaçe, as statistika

E publikuar: 10/05/2016 08:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës vazhdojnë të kenë të dhëna kontradiktore sa i përket furnizimit me ilaçe esenciale. Derisa janë pacientët ata që në vlugun e “shtyrjeve” mes Ministrisë dhe QKUK-së për sasinë e furnizimit me ilaçe, po detyrohen që t’i blejnë ato.

Luan Tërshana ka treguar të hënën se sasia e ilaçeve që ka blerë për një të afërm të tij që po mjekohet në QKUK ka kaluar shifrën prej 30 eurove.

“Këtu si zakonisht. Ministria e Shëndetësisë deklarohet se ka ilaçe, kurse në QKUK thonë se nuk kanë ilaçe dhe ato u përshkruhen pacientëve”, ka thënë Tërshana, shkruan gazeta Zëri.

Ai ka treguar se së fundi kishte dëgjuar deklaratat e zyrtarëve të Ministrisë dhe QKUK-së, të cilat janë një lajthitje e vërtetë për pacientët.

Barnatorja e QKUK-së dhe Klinika e Onkologjisë me të dhëna kontradiktore për ilaçet

“Ata numra po kanë boll. Njëri thotë është furnizimi 80 për qind, tjetri 95 për qind, e pacientët, qeset përplot ilaçe duke i blerë në barnatoret private”, ka thënë ky familjar, derisa është ankuar se një familje me të hyra mesatare, e ka problem serioz nëse i paraqitet ndonjë rast kur dikë të familjes duhet ta trajtojë në spital.

“Veç për ilaçe sa shkojnë para nuk përballohen”, thotë ai.