Shkruan: Blerim Latifi
Polemika mbi dobinë e artit është fort e moçme. Platoni e vinte në dyshim këtë dobi, ngase mendonte se përmbajtja shqisore e arteve na devijon nga rruga që na shpie tek të vërtetat e mëdha, të cilat qëndrojnë jashtë fushës së perceptimit shqisor.
Aristoteli mendonte ndryshe, teksa fliste për efektin e katarsisit në shfaqjet dramatike.
Në Mesjetën teokratike dobia e artit u definua brenda funksionit vizuelizues të rrëfimeve teofanike të Krishterimit.
Sekularizimi modern bëri të mundur që artet të braktisnin gradualisht funksionin religjioz dhe të tranformoheshin në praktikë autonome estetike.
Por Iluminizmi nuk mjaftohej me kaq. Ai donte që përmes arteve të shtynte përpara qëllimet e tij përndritjes e të racionalizimit të botës. Kështu artet u funksionalizuan brenda tregimit të madh të Progresit Moral në Histori.
Gjithandej u përhap besimi në fuqinë humanizuese të tyre, por nuk do të vononte të vinte shekulli XX, që ky besim të përgënjeshtrohej. Arti u tregua i pafuqishëm të frenonte barbaritë e Nazizmit e të Stalinizmit. I pari i përdori artet për të zbukuruar shëmtinë e tij ideologjike, ndërsa i dyti për t’i bërë të besueshme rrenat e bukura ideologjike të tij.
Mgjithatë ky zhgënjim me fuqinë humanizuese të artit, nuk është përvojë e kohës tonë. Për të na parlajmërojnë edhe mitet e lashta greke, sidomos Miti i Orfeut.
Orfeu, i biri i Apollonit, i binte lirës së tij fushave dhe maleve. Nga meloditë e tij të mahnitshme edhe bishat e pyllit frenonin instiktet e tyre grabitqare. Paqja dhe harmonia zotëronte jetën e egër të natyrës kur dëgjohej zëri i Orfeut dhe tingujt e lirës së tij. Por një ditë, Euridika, vajza që u dashurua dhe u martua me Orfeun, u pickua nga një gjarpër dhe prej helmit të tij ajo vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme.
Ky fund tragjik i Euridikës është paralajmërimi antik se e bukura dhe artet nuk mund t’i çrrënjosin egërsinë dhe të keqen. Pacifikimi i natyrës së egër përmes artit, ishte një iluzion i Orfeut, iluzion të cilin ai e pagoi me humbjen e njeriut më të dashur të tij.
Iluminizmi e lexonte Mitin e Orfeut duke e injoruar fatin e Euridikës, ndërkaq, shekulli i njëzetë dhe ky që jemi tash, na këshillojnë ta vëmë theksin pikërisht tek ky fat.