Amir Rrahmani, dardani i artë i Napolit

E publikuar: 24/05/2025 19:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës Amir Rrahmani e fitoi titullin e kampionit të Italisë me Napolin për edicionin 2024/2025.

Kjo e arritur, më e madhja deri më tani e ndonjë futbollisti kosovar u shoqërua me flamurin e Kosovës nga kapiteni ynë në festën e madhe që mbretëroi në Napoli, pas fitimit të Scudetto-s. Amir Rrahmani e mbante mbështjellur për trupi flamurin me krenari, duke i treguar botës prej nga vjen, dhe duke na bërë krenarë miliona kosovarëve, që e kemi një futbollist kaq të suksesshëm në këto nivele të sportit numër një në botë. Është kjo hera e dytë për futbollistin e lindur në Prishtinë që shpallet kampion i Italisë me ekipin napoletan, duke u bërë kështu ikonë e këtij klubi dhe qyteti.

Padyshim se po, duke shtuar faktin se në këtë sezon, Rrahmani luajti në të gjitha ndeshjet, tridhjetë e tetë, e rrugëtimit magjik të Napolit, drejt fitimit të titullit të katërt në histori të klubit.

Amir Rrahmani është i lindur në Kosovë, në vitin 1994, në ate kohë kur futbolli ynë zhvillohej në fusha të improvizuara, në ara e livadhe, ndërsa Liga Italiane Serie A, ishte liga më e fortë në botë, me yjet më të mëdhenj të futbollit botëror që ishin pjesë të saj. Edhe atëbotë, si çdo vit, një skuadër e fitonte titullin e kampionit, por edhe optimistët më të mëdhenj e kishin të vështirë ta paramendonin një futbollist nga Kosova, të ishte pjesë e një klubi kampion në Itali, Gjermani, Spanjë apo Angli. Ishte e natyrshme, nuk e kishim shtetin, kushtet elementare as edhe lirinë, por ama talentin, dashurinë dhe ëndrrën për futbollin, po. E kishim edhe një historik, të themi modest të futbollit, që kulmoi me Prishtinën e Vokrrit dhe ‘Gjeneratës së artë’ dhe poashtu i kishim edhe tregimet që dukeshin shumë të largëta, për sukseset e mitrovicasit Riza Lushta me Juventusin në vitet e 40-ta dhe tregimin për Naim Kryeziun nga Gjakova që pati dalë kampion i Italisë me Romën në vitin 1942. Këta ishin futbollistët më të arrirë nga Kosova deri para pak vitesh, kur Amir Rrahmani i tejkaloi.

Kjo paralele nga vitet e 40-ta deri te Rrahmani, kalon dhe përmes emrit të Fadil Vokrrit për të cilin legjendat urbane flasin që ishte i destinuar të luante për Juventusin, por ligjet e asaj kohe, përkatësisht detyra e shërbimit ushtarak, e penguan që të luante jashtë ish-Jugosllavisë para moshës njëzet e tetë vjeçare.

Megjithatë, Vokrri punoi parreshtur deri në pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA, për ta jetësuar ëndrrën e madhe për ndërkombëtarizimin e futbollit tonë, që ndodhi në pranverën e vitit 2016, tetë vite pas Pavarësisë.

Pas pranimit të FFK-së si anëtare me të drejta të barabarta në instancat më të larta të futbollit, një faqe e re e historikut të futbollit tonë nisi të shkruhej.

E Amir Rrahmani atëherë 22 vjeçar nisi të ishte pjesë e historisë. Nuk e luajti Europianin e parë historik me Shqipërinë në Francë, sepse fati deshi të bëhej pjesëtar i reprezentacionit të Kosovës, shpejt dhe kapiten i dardanëve.

Që prej ndeshjeve të para miqësore, deri tek paraqitjet në eliminatore e ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kosovën, Rrahmani ka treguar nivel dhe ngritje të vazhdueshme në karrierë.

Ky djalosh që sot numëron gjashtëdhjetë e katër paraqitje për përfaqësuesen tonë, e nisi futbollin me prekjet e para të topit te grupmoshat e Kosovës së Prishtinës, vazhdoi te Ramiz Sadiku, për ta bërë më pas debutimin në Superligë me Drenicën në vitin 2011.

Suksesin profesional e ndoqi te Partizani i Tiranës, për të vazhduar më pas në Kroaci me RNK Splitin, Lokomotivën dhe Dinamon e Zagrebit. Në asnjërën skuadër nuk ishte fillimisht startues, por puna, përkushtimi dhe vendosshmëria e patën bërë këtë futbollist titullar në secilin klub që luajti.

Kalimin ne futbollin italian Rrahmani e bëri në vitin 2019. Nga klubi më i madh kroat
Dinamo Zagreb, ku i fitoi dy kampionate dhe një kupë të Kroacisë, u transferua te Hellas Verona.

Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Veronën, Rrahmani u transferua te Napoli, që në dekadën e fundit kosiderohet si njëra ndër skuadrat më të mira në Itali.

Në Napoli, Amiri pati konkurrencë të fortë në qendër të mbrojtjes por pasi që fillimisht e fitoi vendin e titullarit, më pas i fitoi dy ‘Scudetto’ me Napolin, dy tituj kampioni që këtij futbollisti aty mes mitesh e legjendash i sigurojnë përjetesinë futbollistike në qytetin jugor italian.

Ky sukses i Rrahmanit mund të konsiderohet edhe krejtësisht personal, por imazhi i tij me trofeun e artë dhe flamurin e Kosovës do të mbetet përherë një motivim për futbollistët e rinj kosovarë, dhe krenari për të gjitha gjeneratat.