Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka qenë sot për ngushëllime në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të atdhetarit Idriz Syla.
Ahmeti e vlerësoi të ndjerin si shtyllë të familjes Syla dhe atdhetar të madh, duke theksuar sakrificën e tij në vitet para çlirimit të Kosovës. Ai përmendi edhe kontributin e familjes për lirinë e vendit, duke kujtuar se katër nga pesë djemtë e Idriz Sylës ishin pjesëtarë të UÇK-së.
“I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, thuhet në mesazhin e Ahmetit.
Postimi i plotë:
Sot isha për ngushëllime në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku ndava dhimbjen me familjen Syla për humbjen e të ndjerit Idriz Syla.
Idrizi ishte vëllai i shokut tonë të veprimtarisë ilegale atdhetare dhe të luftës së armatosur çlirimtare, Shemsi Syla.
I ndjeri Idriz Syla ishte një atdhetar i madh dhe shtyllë e familjes. Në vitet e vështira para çlirimit të Kosovës, mbi supet e tij ra barra e familjes, pasi vëllai i tij, shoku dhe bashkëluftëtari ynë Shemsi Syla, ishte i burgosur politik, ndërsa gjatë luftës shërbeu si Zëvendëskomandant i Zonës së Karadakut të UÇK-së.
Shemsi Syla e ka vazhduar angazhimin e tij edhe pas luftës dhe sot shërben si Zëvendësministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës.
Nga pesë djemtë e tij, katër Idrizi i pati ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmi e sakrificës dhe përkushtimit të kësaj familjeje për lirinë.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.




















