Në kuadër të Fushatës elektorale për Zgjedhjet Lokale 2017, Aleanca Kosova e Re ka hapur sot Fushatën, në Prizren dhe në Rahovec. Në ceremoninë hapëse të fushatës elektorale për kryetar të Komunës së Prizrenit, i pranishëm ishte edhe Presidenti i partisë, Behgjet Pacolli, Albena Reshitaj ministre e ambientit dhe planifikimit hapsinor, Vesel Makolli sekretar i pergjithshem i AKR-së, deputeti nga radhët e AKR-së, Islam Pacolli dhe zyrtarë të tjerë të partisë.
Simpatizantë dhe përkrahës të shumtë të Aleancës Kosova e Re, ishin mbledhur në Sallë për ta përkrahur kandidatin e partisë për kryetar të Prizrenit, Osman A. Krasniqi.
Me këtë rast Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka falënderuar të gjithë simpatizantët e pranishëm për përkrahjen dhe besimin e tyre në suksesin e Aleancës Kosova e Re.
“Prizreni duhet të udhëhiqet nga një njeri atdhedashës, i sinqertë dhe që punon me transparencë dhe duar të pastra.” Pacolli para qytetarëve të Prizrenit ka thënë se është detyrë e çdo politikani që të jetë në shërbim të qytetarit.
Ndërsa kandidati i Aleancës Kosova e Re, për kryetar të Prizrenit, Osman A.Krasniqi, në fjalën e tij para qytetarëve ka thënë se shpresa e vetme për Prizrenit është AKR-ja dhe vizioni i presidentit Behgjet Pacolli për zhvillimin ekonomik.
Ai ka kërkuar nga Prizrenasit që ta votojnë AKR-në dhe programin e saj ekonomik, i cili garanton mirëqenie dhe ngritje të standardit jetësor për qytetarë. Më pas, në tubim janë prezantuar edhe kandidatët për asamble Komunale nga radhët e AKR-së për këtë Komunë.
Ndërsa sot gjatë ditës Aleanca Kosova e Re ka mbajtur tubimin hapës të Fushatës edhe në Komunën e Rahovecit, ku është bërë prezantimi i listës së kandidatëve për asamble komunale.
Në këtë tubim, i cili ishte i mbushur me përkrahës të AKR-së në Rahovec, të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Presidenti i partisë Behgjet Pacolli. Ai foli për problemet e mëdha të Rahovecit, duke u fokusuar në vështirësitë që bujqit hasin me vreshta, ujëra të ndotur si dhe mungesë të zhvillimit të bujqësisë. Pacolli u zotua se asamblesitët e Aleancës Kosova e Re, do të angazhohen maksimalisht për qytetarët dhe se do t’i përfaqësojnë ata denjësisht.



















