Në prani të një numri të madh të qytëtarëve, dega e Aleancës Kosova e Re, përmes një ceremonie solemne ka prezantuar kanididatin e partisë për kryetar të Kamenicës, Amir Canaj.
Duke e shpalozur programin e Aleancës Kosova e Re, Canaj u fokusua në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën e mjedisit, ku përmendi edhe ndotjen e lumenjëve dhe problemet tjera me ambient. Ai u zotua se do të angazhohet në sjelljen e investimeve të reja në Kamenicë si dhe në zbutjen e papunësisë në këtë komunë.
Në mesin e mysafirëve të shumtë i pranishëm ishte Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ministri i Brendshëm Flamur Sefaj, sekretari i pergjithshem i AKR-së Vesel Makolli si dhe përfaqësues të tjerë të partisë nga qendra.
Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Pacolli tha se Kamenica më shumë se kurrë ka nevojë t’a zbatojë programin e AKR-së. “Ne e kemi programin e qartë dhe ky program nuk lejon degradime. Amiri do të zbatojë projekte të rëndësishme, por për t’i implementuar ato, duhet besimi i qytetarëve”, ka shtuar ndër të tjera i pari i AKR-së.
Aleanca Kosova e Re, sot gjatë ditës ka mbajtur edhe një tubim me qytetarë në Gjilan, me ç’rast është bërë prezantimi i kandidatëve të partisë për asamble në këtë Komunë.


















