AKEP publikoi raportin vjetor të tregut të telekomunikacionit për vitin 2017, Vodafone dominon aksesin mobil, ALBtelecom atë fiks

E publikuar: 28/04/2018 03:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare publikoi Raportin Vjetor të tregut të telekomunikacionit për vitin 2017.

AKEP gjatë vitit 2017 vijoi punën për rregullimin e tregut të komunikimeve elektronike, bazuar në parimin e transparencës duke bashkëpunuar me palët kryesore të interesit si operatorët e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Disa nga trendet dhe zhvillimet kryesore të tregut të komunikimeve elektronike gjatë vitit 2017 ishin:

  • Transferimi i të drejtave të përdorimit të radiofrekuancave nga Plus Communications tek Vodafone Albania dhe Telekom Albania dhe mbyllja e aktivitetit të ofrimit të shërbimeve celulare nga Plus Communication më 31.12.2017;
  • Rënia e të ardhurave dhe fitimeve të operatorëve të kryesorë të komunikimeve elektronike.
  • Vijimi i rritjes së ndjeshme e përdorimit të shërbimeve të aksesit broadband dhe rënia e përdorimit të shërbimeve tradicionale të thirrjeve dhe SMS-ve nga rrjete celulare
  • Rritje e proporcionit të thirrjeve off-net dhe reduktim i thirrjeve on-net në rrjetet celulare;
  • Rritje e lehtë e ARPM dhe ARPU në rrjetet celulare
  • Vijimi i rritjes së qëndrueshme e aksesit broadband nga rrjete fikse dhe renies së përdorimit të telefonisë fikse;
  • Vijimi i rritjes së përdorimit të paketave të integruara në rrjetet celulare dhe fikse.

Raportoi zbulon se Vodafone Albania është operatori më i madh në treg për nga të ardhura duke zënë 39% të tyre ndjekur nga Telekom Albania me 24% dhe ALBtelecom me 22%.

Të ardhurat e katër operatovë shënuan rënie me 12% në 29.7 miliardë lek krahasuar me 33.9 miliardë lek në 2016-ën.

Numri i kartave SIM aktive ishte 5.3 milionë kurse i përdoruesve aktivë 3.4 milion.

Një rritje të ndjeshme pari numri i përdoruesve të internetit celular me 22% krahasuar me një vit më parë në 3.3 milionë.

Volumi total i të dhënave të transmetuara ishte 45.9 milion GB. Vodafone vijon të dominojë me 49% të përdoruesve të shërbimeve celulare, ndjekur nga Telekom Albania me 32% dhe ALBtelecom 14%.

Shërbimet fikse dhe interneti broadband

Pozitat e ALBtelecom vijojnë të jenë të pakontestuara i takon shërbimit të telefonisë celulare. Në fund të 2017-ës, Shqipëria kishte 244 mijë abonentë me një masë penetrimi prej 8.2%, ose 40% më e ulët se vendet e zhvilluara.

Aksesi në internet broadband nga rrjetet fikse gjithashtu është nën diktatin e ALBtelecom i cili ka 120,204 abonentë ndjekur nga Abcom me 55,860, Tring me 46,118 dhe Abissnet me 28,633 abonentë.

Norma e penetrimit të internetit broadband është në 37.25 për familje dhe 10.4% për popullsi.

Bazuar në të dhënat rajonale in 2017 vërehet se qarqet me normat më të larta të penetrimit urban janë Tirana dhe Korca, përkatësisht me nga 26.65% dhe 18.69% ndërsa Durrësi është qarku që ka normën më të lartë të penetrimit rural rreth 12%, ku së bashku me atë urban përbën rreth 9% të popullsisë totale të këtij qarku.

Sakaq numri i pajtimtarëve që kanë akses në shërbime të integruar, TV, Telefon dhe Internet, arriti në 198,483 e cila përbën rënie me 0.15% krahasuar me tre mujorin e tretë të 2017-ës.

Teknologjia dhe shpejtësia e internetit broadband

Teknologjia dominuese në ofrimin e shërbimeve të komunikimit elektronik është ajo DSL – FTTN/FTTC ku zë 52% të lidhjeve.

Rritje ka shënuar edhe teknologjia FTTH (Fiber to the Home) me 14% të lidhjeve.

Lidhjet kabllore në Shqipëri (NGA DOCSIS 3.0) përbëjnë 21% ndërsa 10% e lidhjeve ende kryhen mbi tela bakri DSL.

Lidhjet në teknologjitë e fundit FTTx + NGA kabllorë përbëjnë 79% ku shumica e tyre janë në ADSL FTTN/C. Në vendet e BE-së ky raport është 35% VDSL, FTTH/B dhe DOCSIS 3.0.

Sa i takon shpejtësisë, të dhënat tregojnë rënie të pajtimtarëve me akses në internet më pak se 4Mbps dhe rritje për ato mbi 4Mbps.

Në 2017-ën plot 186 mijë abonentë kishin internet me shpejtësi 4-10Mbps. Rritje përdoruesish ka pasur edhe segmenti 10-30Mbps.

Gjatë vitit 2017 ofrimi i kapaciteteve me qira nga linja ndërkombëtare pësoi një ulje me 51% krahasuar me vitin 2016, ndërkohë ofrimi i kapaciteteve me qira nga linja kombëtare pësoi një rritje me 194% e shoqëruar me një rritje të kapaciteti total të dhënë me qira me 150% krahasuar me vitin 2016.

Kontribuesi kryesor në infrastrukturën pasive ka qenë Albtelecomi, i cili ka rritur aksesin në 2017 me 945 km dark fiber dhe 69 km tubacione si dhe Abcom me 145 km dhe ATU me 117 km, rritje të dhënies së aksesit në dark fiber.

Albtelecom është ofruesi kryesor i aksesit me shumicë në elementët aktivë dhe pasivë të infrastrukturës në rrjete fikse. Në vitin 2017, 64% e fibrës optike dhe 97% e aksesit në tubacione janë ofruar nga Albtelecom. /PCWorld Albanian