Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj qeverisë e Kuvendit si dhe ndaj partive politike për vonimin për vendimin për Pakon Ekonomike, transmeton Zeri.info
Ahmeti ka thënë se shumë njerëz ende mendojnë se kur do i marrin 170 euro për t’i paguar borxhet, dhe sipas tij, shumë të tjerë mendojnë edhe datën e këstit të kredisë.
“E lus çdo politikan me ndërgjegje, qeverinë e kuvendin, e partitë politike që veç ta mendojnë se ka shumë njerëz që po mendojnë se kur kanë me i marr 170 euro për me i pagu një pjesë të borxheve, ka shumë biznese që po presin se kur ka me pas një ndihmë për me mbijetu ekonomikisht familja, e shumë të tjerë që po mendojnë për shpenzimet shëndetësore, pagesën e rrymës, e datën e këstit të kredisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu, Ahmeti u drejtohet politikanëve duke u thënë se po i humbin më shumë se tetë orë duke kritikuar njëri-tjetrin, duke iu referuar seancave të Kuvendit.
Më tej, kreu i Prishtinës ka deklaruar se nuk ka asnjë arsyetim për vonimin e diskutimit për pakon ekonomike.
“Më falni, por nuk ka kurrfarë arsyetimi me u vonu diskutimi dhe vendimi për pako ekonomike. Ky Kuvend nuk ish deshtë me dal prej sallës deri ta arrin kompromisin për një pako substanciale ekonomike. Ditë e natë. Kur nuk merren vesh për 62 milionë marrëveshje me Institucionet Financiare Ndërkombëtare, sinjali është që gjasat me kalu pako prej 1.2 miliard janë minimale”, theksoi Ahmeti.
Ndërkaq, ai tha se shpreson që të gjithë këta politikanë që, sipas tij, po i vonojnë vendimet për pakon emergjente, të shkojnë sa më shpejt në shtëpi.
“Me rëndësi, pagat po ju ecin. Por si krejt politikanët, një ditë kena me ec prej shpije e s’ka me ju dëgju askush. Qysh jeni t’u vepru, po shpresoj që qajo ditë vjen më shpejtë”, përfundoi ai./Zëri/



















