Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi ka shpalosur programin politik përballë qytetarëve të shumtë në kryeqytet.
Sipas Isufit, qytetarët janë më real se politika, dhe se ata po kërkojnë dicka që është tejet bazike – barazi për të gjithë, punë dhe dinjitet.
Shkrimi i plotë i Isufit:
Qytetarët janë më real se politika. Kërkesat e tyre nuk janë të shkëputura nga realiteti, ata po kërkojnë diçka që është tejet bazike; barazi për të gjithë, punë e dinjitet.
Kemi qytetarë të mrekullueshëm të cilët asnjëherë nuk kanë rezistuar ti përgjigjen shtetit. Qoftë para luftës që e kanë mbajtur vetë gjallë, qoftë tani që janë pagues e kontribues të ndershëm ndaj shtetit.
Mirëpo, ne nuk kemi arritur të ndërtojmë shtet që taksat e qytetarëve i kthen në mirëqenie. E para kësaj, shteti jonë harron shpesh se është vetëm një rregullator. Ai më tepër sillet si një makineri që mbledh fonde dhe injoron qytetarët. Madje, edhe taksat kur ua kthejnë në investime, ua përmendin sikur të ishin para të xhepit të tyre.
Duhet ta kuptojmë një herë e mirë se qytetari është themeli i shtetit. Qytetari paguan taksat, qytetari mban gjallë frymën e shtet-ndërtimit. Institucionet janë thjesht rregullator dhe vetëm rregullator të barazisë dhe shpërndarjes së drejt të investimeve në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies.
Para së gjithash, qytetarët për faktin se nuk munden të përzgjedhin operatorët për shërbimet shtetërore, nuk do të thotë se ata nuk janë vlerësuesi kryesor i punës që ne bëjmë.
Në botën moderne, institucionet funksionojnë me mekanizma të performancës së lartë, me vlerësim e shërbime cilësore. Po ngjashëm e shpesh me rol të madh në to hyn edhe sektori privat. Pra, nuk ka sektor privat e publik, ka thjesht shërbime ndaj qytetarit, kthim të shërbimit në vlerën e pagesës.



















