Abelard Tahiri: Kushtetuesja foli, vendimi për komision të fshehtë ishte jokushtetues

E publikuar: 26/06/2025 19:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë jokushtetues tendencën për themelimin e komisionit të fshehtë.

Postimi:

Gjykata Kushtetuese ka folur qartë: vendimi për themelimin e Komisionit për Votim të Fshehtë në seancën konstituive ishte jokushtetues.

Ky është një aktgjykim i rëndësishëm që ndal një devijim të rrezikshëm kushtetues dhe vërteton se procedurat parlamentare nuk mund të përdoren si instrument bllokade politike.

Prej 15 prillit, konstituimi i Kuvendit është bllokuar – fillimisht nga dështimi i grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidaten e tyre për Kryetare të Kuvendit, dhe më pas, nga 30 prilli, përmes insistimit të një propozimi jokushtetues që pengoi vijimin e seancës konstituive.

Në cilësinë time si deputet, kam dorëzuar komente mbështetëse në këtë rast për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të ndalur instrumentalizimin e rregullave të Kuvendit nga një grup që nuk i ka votat, por kërkon të mbajë peng institucionet.

Gjykata konfirmoi se:

1. Rendi i ditës i seancës konstituive nuk mund të ndryshohet sipas tekeve politike;

2. Nuk ka të drejtë askush të vendosë votim të fshehtë pa bazë kushtetuese e pa procedurë;

3. E drejta për të propozuar Kryetarin e Kuvendit nuk mund të shndërrohet në mekanizëm bllokues;

4. Grupi më i madh parlamentar e ka detyrimin për bashkëpunim me grupet e tjera përmes kompromisit politik;

5. Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit;

Në këtë betejë, kemi qëndruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe kemi dëshmuar se demokracia parlamentare nuk është pronë e askujt.

Rendi kushtetues triumfoi – dhe me të, edhe vullneti për institucione funksionale, jo peng të një partie të vetme.