A ndikon papunësia në shëndetin mendor apo shëndeti mendor në papunësi?

E publikuar: 26/10/2020 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mesin e periudhave të vështira përgjatë jetës tonë është edhe periudha e papunësisë. Studiuesit thonë se duke mos ditur se çfarë na sjell e ardhmja, gjëja e parë që na sjell kjo periudhë është paqëndrueshmëria emocionale, por kjo vjen bashkë edhe me një sërë problemesh të tjera. Megjithatë, ashtu sikur gjithçka tjetër, edhe periudhën e papunësisë mund ta menaxhojmë. Akademi Pune tregon disa këshilla nga piskologia Azize Daku, se si dhe çfarë duhet të bëhet për ta tejkaluar këtë periudhë.

Çdo gjë në jetën tonë është e lidhur së bashku, mungesa e apo posedimi i diçkaje ndikon tek diçka tjetër, pavarësisht që na duket se ato nuk kanë lidhje së bashku. Shpesh kur bëhet pyetja se cilat mungesa do ta përcaktonin mënyrën tonë të jetesës, në morinë e gjërave të përmendura, harrohet të përmendet edhe mungesa e një pune. Mbase njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se sa shumë ajo ka ndikim në mënyrën se si e shohin dhe organizojnë jetën e tyre.

Periudha e papunësisë, është periudhë që përjetohet në mënyra të ndryshme tek persona të ndryshëm. Por një gjë është e qartë, kjo periudhë është njëra ndër periudhat më të palakmueshme me të cilën përballemi kohë pas kohe. Kjo sidomos është edhe më e vështirë për ata të cilët e kanë përjetuar më parë se si është të qenurit i pavarur financiarisht, sesa ata që nuk kanë përjetuar kurrë një ambient pune.

Psikologia Azize Daku, thotë se në rast se një person humbet punën kjo manifestohet në të njëjtën mënyrë si në rastet kur humbasim dikënd të rëndësishëm në jetë, duke kaluar nëpër të gjitha fazat e pikëllimit gjatë kësaj kohe.

“Kur personat e humbin punën, jo vetëm që zhduket burimi i të ardhurave, por edhe marrëdhëniet personale në punë, struktura e rutina ditore. Andaj, papunësia bëhet një goditje për gjithë sistemin e personit. Sipas shumë studiuesve ajo çfarë ndodh brenda nesh është e njëjtë si kur humbim dikë, dhe kalojmë të gjitha fazat e pikëllimit”, shprehet Daku për Akademi Pune.

Duke qenë se përditshmëria nuk ka më një rregull si dikur, ajo fillon të bëhet kaotike. Përveç pasigurisë financiare, që me kalimin e kohës shkon duke u rënduar, kontaktet me të tjerët fillojnë të zbehen, kësisoj personat e papunë nuk e dinë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e tyre. Kjo, thotë psikologia, është koha kur tek këta persona fillon ndjenja e të qenurit të padobishëm.

“Të qenit i papunë, mund të çojë edhe në rritjen e ankthit, dhe nëse nuk dihet shumë shpesh se kur do të jetë puna e ardhshme dhe mbi këtë kohëzgjatja e determinon për t’u rrezikuar edhe standardi i jetesës. Rrjedhimisht, edhe pasiguria në këtë formë edhe do të përjetojë rritje. Një tjetër efekt është edhe humbja e kontakteve sociale të krijuara gjatë asaj periudhe të kontributit në atë vend. Është një ndjenjë që ata që e kanë humbur punën dhe janë të papunë, shpjegojnë se janë duke e përjetuar dhe këtë e quajnë ndjenja e qenurit i padobishëm”, tregon Daku.

Por, sipas saj, është diçka tjetër shumë e rëndësishme që duhet të diskutohet. A ndikon shëndeti mendor në papunësi apo papunësia ndikon në shëndetin mendor? Të dy këta janë faktorë që lidhen ngushtë me njëri – tjetrin dhe e vështirësojnë konkludimin.

“Çështja nëse shëndeti mendor e ndikon papunësinë, ose e kundërta është vështirë të përcaktohet, sepse këta dy faktorë janë ngushtë të lidhur, papunësia mund të e përkeqësojë shëndetin mendor, por edhe problemet e shëndetit mendor mund të e bëjnë më të vështirë që një person të e mbajë një punë, ose marrë një të tillë”, thekson ajo.

Janë pikërisht vetë këta persona që e kanë në dorë që t’ia rëndojnë vetës gjendjen apo të tentojnë ta tejkalojnë. Psikologia thotë se ajo çfarë e bën më të lehtë kapërcimin e kësaj gjendjeje është të flasim me të tjerët. Të mos mendojmë që askush nuk na kupton, në fund të fundit papunësia është diçka që çdo njeri ka kaluar nëpër të.

“Është e qenësishme të flasim për atë se çfarë jemi duke ndjerë derisa e kemi humbur punën, derisa nuk jemi duke e gjetur një të tillë. Të provojmë që atribumin të mos ia bëjmë faktorëve që edhe më shumë e rëndojnë gjendjen. Po ashtu, nëse njeh dikë që veçse e ka humbur punën, të flasim me të, të i ndajmë përvojat”, rekomandon Daku.

Mendo që kjo është diçka që do të kalojë shpejt. Kurrë më parë nuk ke pasur më shumë kohë se tani për t’i bërë të gjitha gjërat që i dashuron. Madje, edhe ato të cilat nuk i ke bërë kurrë, por ke dashur gjithmonë t’i provosh.

Shfrytëzoje çdo sekond. Periudha e papunësisë shpesh mund të jetë një periudhë iluminimi.

Lexo shumë, përveç që do të mësosh shumë gjëra të reja, do ta kuptosh që nuk je vetëm, ashtu siç ndihesh gjatë kësaj kohe.

Eksploroje vetën duke pikturuar, vizatuar apo duke bërë diçka tjetër. Kjo do të të jap të kuptosh se brenda teje gjendet një thesar. Nuk ke pse ndihesh i padobishëm.

Në fund, mendoje vetën se je në pushim vjetor, pas të cilit do të kthehesh më fuqishëm se asnjëherë më parë.