Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Gjakovës, ku një punëtor i ri ka humbur jetën në mënyrë tragjike gjatë orarit të punës. Aksidenti fatal ndodhi rreth orës 16:20, në rrugën “Pjetër Bogdani”, në afërsi të shkollës “Mehmet Akif”.
Sipas informacioneve të para nga terreni, viktima me inicialet L.F., 29 vjeç, ishte duke kryer punime në lartësi.
Dyshohet se gjatë procesit të punës, krahu i një krani që po transportonte materiale ndërtimore e ka goditur të riun, duke e rrëzuar atë nga një lartësi e konsiderueshme në tokë.
Goditja dhe rënia rezultuan fatale për 29-vjeçarin. Megjithëse ekipi emergjent mbërriti me shpejtësi në vendngjarje, mjekët mundën vetëm të konstatonin vdekjen e tij.
Trupi i pajetë është marrë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë forcat e Policisë së Kosovës dhe Inspektorati i Punës.

















