Gjatë vizitës në Bruksel, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u takua me Kryesuesin e Komisionit për Çështje Juridike në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk, me të cilin diskutoi për zhvillimet në fushën e drejtësisë dhe sfidat që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit, si dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Theksi u vu në çështjet që prekin integritetin dhe funksionalitetin e sistemit, përfshirë procesin e Vetingut, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketën e pesë projektligjeve që synojnë konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale”, tha Ministrja Gërvalla.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla theksoi se sundimi i ligjit mbetet garanci themelore për forcimin e shtetit ligjor dhe sigurimin e barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët.
“Reformat në drejtësi nuk janë opsion, por parakusht për shtet funksional; dhe Kosova do t’i çojë përpara me vendosmëri, përmes një sistemi që garanton drejtësi reale, lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar në mënyrë efektive dhe e bën të pakthyeshme rrugën tonë evropiane”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
















