Gërvalla në Bruksel:Kosova mbetet e palëkundur në orientimin e saj evropian

E publikuar: 21/04/2026 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla ka bërë të ditur se në Bruksel ka zhvilluar takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Komisionit Evropian për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Gert Jan Koopman, ku është diskutuar për reformat në drejtësi dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Gërvalla ka theksuar se në takim është biseduar për vazhdimësinë e reformave, përfshirë funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe pakon me pesë projektligje që ndodhen në konsultim publik.

“Nga reforma në drejtësi drejt shtetit funksional të së drejtës”, ka shkruar Gërvalla, duke shtuar se këto masa synojnë forcimin e integritetit institucional dhe transformimin afatgjatë të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ajo ka theksuar gjithashtu se reformat synojnë rritjen e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe forcimin e llogaridhënies së institucioneve gjyqësore.

“Reformat në drejtësi kanë për qëllim rritjen e qasjes së qytetarëve në drejtësi dhe forcimin e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore”, ka deklaruar ajo.

Në fund, Gërvalla ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian në procesin e integrimit, duke e cilësuar progresin në drejtësi si element kyç, ndërsa ka ritheksuar orientimin evropian të Kosovës.