Nga: Milaim Sylejmani, ushtar i UÇK-së, pjesëmarrës në Betejën e Zhegovcit
Prilli i vitit 1999 shënon kapitullin më të përgjakshëm të historisë moderne të Kosovës. Ndërsa makineria e vrasjeve e Sllobodan Millosheviçit po operonte me një egërsi sistematike në mbarë vendin, rajoni i Anamoravës, Zhegovcit dhe Karadakut (Këto rajone gjatë luftës së UÇK-së, ishin nën Zonën Operative të Karadakut, pra komunat Gjilani, Vitia, Kamenica ) paraqet një rast studimor të veçantë për historian , dhe analistë strategjik të luftës. Nga të dhënat e raporteve publike dhe kronologjisë së ngjarjeve, shohim se pas mesit të Prillit 1999, intensiteti i masakrave masive në këtë Zonë, pati një rënie specifike, e diktuar sipas vlerësimeve të autorit të këtyre rreshtave nga tre faktorë kyç:
1.Rezistenca e armatosur e UÇK-së, në Betejën e Zhegovcit,
2.Prania e dendur e popullatës civile serbe, si në fshatrat të përziera, ashtu edhe në fshatra të banuara vetëm me popullatë serbe.
3. Afërsia me trekëndëshin e kufijve Kosovë-Serbi-Maqedoni.
Beteja e Zhegocit: Pikë kthesa e 15 Prillit 1999, mburojë që parandaloi tragjedinë në Anamoravë, Zhegovc e Karadak!
Deri në mesin e Prillit, forcat serbe në këto vise vepronin me komoditetin e një force që nuk haste në rezistencë frontale. Ata dëbuan, plaçkitën, dhe vranë civil të pa armatosur në këto tri Komuna si: Në Smirë me 05 Prill, Tërstenik 06 Prill, Lladovë 5-6 Prill, Pozharan 14 e 15 Prill, Gjylekar 15 Prill, pastaj vala e parë e vrasjeve në Llashticë rreth datës 13 Prill , dhe sidomos marrja peng e 50-60 të rinjëve, pas dëbimit të popullatës së pa mbrojtur, dhe vrasjes së shumë civilëve me 10 Prill 1999 në Bresalc, fshat përmes të cilit bëheshin grumbullimet logjistike e të ushtarëve para se të niseshin për Zhegovc e Marevc. Kjo periudhë, në të tri Komunat u karakterizua nga dëbime masive dhe krime mizore, dhe këtu nuk është fokusi i përfshirjes kronologjike të të gjitha masakrave, vrasjeve e plaçkitjeve në këto vise!
Më 15 prill 1999, kodrat e Zhegovcit u kthyen në skenën e një prej ballafaqimeve më të ashpra të Luftës në Kosovë. Në këtë Betejë, sipas vlerësimeve të ekspertëve ushtarak, gjatë tërë luftës së UÇK-së, Serbia ka angazhuar më së shumti forca të gjalla dhe teknikë ushtarake brenda një dite. Beteja e Zhegovcit nuk ishte thjesht një përballje ushtarake, ajo ishte kushtrim i fuqishëm i ushtarëve të UÇK-së në këtë rajon, dhe zotim se ekspeditat vrastare të forcave okupuese mbi popullatën civile nuk do të kalonin pa kosto në ushtar, paramilitar e teknikë të armikut. Ajo që në historiografinë tonë njihet si Beteja e Zhegovcit, nuk ishte thjesht një përplasje frontale mes UÇK-së dhe forcave pushtuese, por një akt i lartë sakrifice që shpëtoi mijëra jetë civile në rajonin e Zhegovcit, Anamoravës e Karadakut.
Pas luftimeve të ashpra, me epiqendër udhëkryqin “Te Hanet e Zhegocit” dhe të “pikave” tjera taktike, përmes rezistencës tërë ditore, u arrite në mënyrë të sigurt që të tërhiqet popullata e koncentruar në Zhegovc dhe fshatra për rreth. Megjithatë në këtë datë ranë tetë dëshmorë dhe shumë martirë. Jehona e kësaj Beteje detyroi ushtrinë dhe policinë serbe të ndryshonin aktivitete ushtarake e paramilitare. Ata nuk po përballeshin më vetëm me civilë të pambrojtur, por me një front të hapur që kërcënonte linjat e tyre, si të furnizimit, të pozicionimit, ashtu dhe kontrollin e territorit. Kjo rezistencë shërbeu si një barrierë mbrojtëse psikologjike për fshatrat e rrafshit të Anamoravës, Karadakut e Zhegovcit duke e detyruar komandën serbe të fokusohej në luftën frontale në vend të operacioneve të pastrimit etnik “shtëpi më shtëpi”.
Faktori Demografik dhe ndryshimet taktike për shkak të frikës!
Një element tjetër që dua të nxjerr në dritë është konteksti unik demografik i Anamoravës. Ndryshe nga rajonet e Drenicës apo Dukagjinit, ku fshatrat ishin kryesisht homogjene, Anamorava kishte një ndërthurje të lartë të popullsisë shqiptare dhe serbe.
Pas 15 prillit 1999, me shfaqjen e organizuar, dhe rezistencën titanike të UÇK-së në Betejen e Zhegovcit, duke pasë parasyshë epërsinë ekstreme, te forcave elite ushtarake – policore, e paramilitare lokale serbe, armiku u detyrua të bëjë rivlerësime strategjike, duke u shpërndarë në njësi më të vogla,dhe duke i’u shmangur ballafaqimit direkt me njësitet e UÇK-së.
Kjo betejë shkaktoj frikë dhe pasiguri te forcat armike. Ky faktor, megjithëse nuk e ndali dhunën, e transformoi atë. Qëndresa e pamposhtur e ushtarëve të UÇK-së në Zhegovc u bë pengesa kryesore që parandaloi depërtimin e forcave serbe drejt zonave të dendura me banorë. Pa këtë rezistencë, fati i popullatës civile në fshatrat rrëzë malësisë do të ishte i ngjashëm me tragjeditë më të mëdha të atij viti. UÇK-ja shërbeu si një “digë” morale dhe fizike, duke u dhënë kohë mijëra të dëbuarve që kishin gjetur strehë në ato gryka, të tërhiqeshin drejt zonave më të sigurta. Pas 15 prillit, të dhënat e kohës tregojnë se krimet u zhvendosën nga masakrat masive drejt vrasjeve selektive tinzare, plaçkitjeve dhe dëbimeve sistematike drejt kufirit me Maqedoninë.
E treta: Një digë rezistence me impakt rajonal!
Rezistenca heroike e UÇK-së në Zhegovc shkatërroi planin serb për një spastrim të shpejtë etnik të Anamoravës, duke u bërë mburojë jetike për mijëra civilë dhe duke detyruar armikun të konsumonte burime të mëdha ushtarake në një terren të thyer. Për shkak të pozicionit strategjik në Karadak, kjo betejë jo vetëm që pengoi kontrollin e armikut mbi korridoret kyçe kufitare, por shërbeu edhe si një paralajmërim real për zgjerimin e konfliktit drejt Serbisë Jugore dhe Maqedonisë. Ky “efekt domino” i rezistencës dëshmoi se lufta çlirimtare nuk ishte thjesht një vatër lokale, por një lëvizje që kërcënonte stabilitetin e forcave serbe në të gjithë “trekufirin”, duke e kthyer këtë zonë në një bastion të pathyeshëm që frymëzoi qendrat e tjera të rezistencës mbarë shqiptare.
Dëshmia e Llashticës
Ndonëse intensiteti ra*, barbaria nuk u zhduk. Rasti i Llashticës më 30 prill 1999, ku u ekzekutuan 13 civilë brenda një shtëpie (përfshirë foshnjën 3-javëshe Lirim Shabani), mbetet një njollë e pashlyeshme. Megjithatë, kjo ngjarje shihet më shumë si një akt dëshpërimi dhe fshehjeje të gjurmëve (përdorimi i buldozerëve për të rrënuar shtëpinë mbi viktima) sesa si pjesë e një ofensive të re të hapur.
Në përfundim, mund të thuhet se Anamorava i shpëtoi skenarëve më të zi të masakrave të tipit të Reçakut, Krushës, Mejes, Izbicës apo Rezallës falë guximit të luftëtarëve në Zhegovc dhe pozitës gjeografike që nuk lejonte krime pa kosto. Ky shkrim le të na kujton se liria erdhi nga një ekuilibër i përgjakshëm, ku lufta e armatosur u bë mburoja e fundit e popullatës civile.
Paranoja serbe dhe arsenali i paprecedent!
Siç edhe u tha më lart, një element specifik i kësaj zone ishte demografia.
Kjo paranojë i shtyu ata që, brenda një dite të vetme, të angazhonin një arsenal që rrallëherë është parë në zona të tjera gjatë gjithë luftës:
Artileri e rëndë: Granatime masive që synonin rrafshimin e çdo pike rezistence.
Teknika e blinduar: Angazhimi i një numri rekord tankesh dhe mjetesh të rënda brenda 24 orëve.
Këmbësoria speciale: Mijëra trupa të angazhuar në një sulm frontal për të thyer mbrojtjen shqiptare.
Thirrje për dokumentim: Nga harresa në histori!
Është detyrë e institucioneve tona arsimore dhe shkencore që Betejën e Zhegovcit ta trajtojnë me seriozitetin që meriton. Kjo ngjarje duhet të zërë vendin e saj në tekstet shkollore të historisë, jo vetëm si kronikë lufte, por si shembull i trimërisë e gjenialitetit taktik në mbrojtje të popullatës.
Një sfidë për studiuesit e rinj:
Në fund, kjo mbetet një fushë e hapur për kërkim akademik. I bëjmë thirrje studentëve të historisë në nivelin Master, apo PhD që ta marrin këtë betejë si temë të diplomimit. Ka ardhur koha që me metodologji shkencore, duke u bazuar në arkivat e KMDLNJ-së dhe dëshmitë e gjalla, të vërtetohen hipotezat mbi rëndësinë strategjike të kësaj pike:
1. Si arriti Beteja e Zhegovcirt të bëhej pengesa kryesore e planeve serbe në Anamoravë, Karadak e Zhegovcit?
2. Pse u përdor koncentrimi më i madh i forcave të gjalla, dhe i arsenalit tokësor pikërisht në këtë zonë?
*Sipas shënimeve të nxjerra përmes hulumtimeve nëpër internet, në këto Komuna nga 1 Janar deri me 15 Prill 1999 janë vrarë më shumë viktima civile, se sa nga 16 Prill deri me 10 Qershor 1999.


















