Reagimi i Nagavcit për masën e Kushtetueses ndaj dekretit për Kuvendin

E publikuar: 09/03/2026 20:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se e mirëpresin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

“Besojmë se kërkesa jonë është e drejtë dhe se argumentet tona janë të qarta e të bazuara në Kushtetutë. Presim një trajtim profesional nga Gjykata dhe miratimin e kërkesës sonë”, shkruan ajo në një postim në Facebook.

Ajo shkruan se presin që Gjykata Kushtetuese të nxjerrë Aktgjykimit në të cilin miratohen kërkesat e tyre.

“Të anulojë Dekretin nr. 24/2026, të datës 06.03.2026, të Presidentes për shpërndarjen e Legjislaturës së Dhjetë (X) të Kuvendit të Republikës së Kosovës;-si dhe të urdhërojë deputetët e Kuvendit që të vazhdojnë përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit/Presidentes së re, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh nga nxjerrja e këtij aktgjykimi”, shkruan ajo.

Në postim shton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin demokratik të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit institucional në vend.

Ndërkaq ky reagim ka ardhur pasi që Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë deri më 31 mars ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani.