​Kurti takon përfaqësuesit e BERZh-it, flasin për investime prej 400 milionë eurosh

E publikuar: 09/03/2026 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, pritën në takim përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe BERZh-it, me fokus të veçantë në avancimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar në vitin 2024, i cili parasheh një portofol investimesh deri në 400 milionë euro deri në vitin 2027.

“U trajtuan gjithashtu projektet prioritare në fushat e infrastrukturës rrugore, ujërave të zeza, sistemit të ujit, efikasitetit të energjisë dhe transportit publik, si dhe mundësitë për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja financimi gjatë viteve 2026–2027”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti e falënderoi BERZh-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi rëndësinë e partneritetit me këtë institucion për realizimin e projekteve strategjike që përmirësojnë infrastrukturën dhe shërbimet për qytetarët.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e BERZh-it riafirmuan gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës në zbatimin e projekteve zhvillimore dhe në mbështetje të reformave ekonomike.