Ambasada e Kosovës në Izrael ka dalë me një njoftim për shtetasit kosovarë që jetojnë atje, pasi tashmë SHBA dhe Izraeli kanë nisur disa sulme ndaj Iranit. Ambasada ka bërë thirrje për respektim të të gjitha udhëzimeve zyrtare që lëshohen nga autoritetet vendore dhe gjithashtu të rrisin kujdesin dhe vigjilencën.
Ambasada ka njoftuar se bashkë me Ministrinë e Jashtme po monitorojnë me kujdes situatën dhe kanë vendosur në dispozicion edhe një numër të telefonit.
Njoftimi i plotë:
Njoftim për qytetarët e Republikës së Kosovës në Izrael!
Në vazhdën e situatës së jashtëzakonshme, u bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael të tregojnë vigjilencë të shtuar, të ndjekin me kujdes njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase.
Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin:
+972 586 340450
‼️ Ju lutemi që numri i emergjencës të përdoret vetëm nga qytetarët që aktualisht ndodhen në Izrael. Ky kontakt nuk është i dedikuar për kërkesa nga mediat.
MPJD dhe Ambasada do të vazhdojnë të informojën rregullisht për çdo zhvillim të ri.


















