PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë në shërbim të narrativës së rreme serbe, devijim nga e vërteta dhe drejtësia

E publikuar: 09/02/2026 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke vlerësuar se kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi.

Në një komunikatë për media, PDK thekson se që në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit është bërë e qartë se procesi nuk po zhvillohet si një gjykim i zakonshëm gjyqësor, por si, sipas saj, një përpjekje për deformim të së vërtetës historike.

“Në ditën e parë të fazës përmbyllëse të gjykimit, u bë e qartë se nuk kemi më të bëjmë me një proces të zakonshëm gjyqësor, por me një përpjekje të hapur për të deformuar të vërtetën historike dhe për të ndërtuar një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës tentohet të paraqitet si projekt kriminal”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës rikujton se krimet e kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit dhe aparati shtetëror i Serbisë janë të dokumentuara gjerësisht nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë dhe nga faktet historike.

“Është fakt i ditur që Serbia ishte agresore dhe populli i Kosovës ishte viktimë”, thekson komunikata.

Sipas PDK-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor dhe një përgjigje e domosdoshme ndaj dhunës dhe shtypjes sistematike të regjimit serb.

“Në këtë kontekst, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal”, vlerëson PDK.

Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, PDK thekson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po trajtohen si simbole të rezistencës dhe shtetformimit, e jo si individë të shkëputur nga konteksti historik.

“Kjo qasje e Prokurorisë synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri. Ajo u konkretizua edhe sot përmes kërkesës për dënime absurde që reflektojnë vetëm ndëshkim politik dhe selektiv”, thuhet më tej.

PDK e quan të papranueshme edhe përpjekjen për ta ndërlidhur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke theksuar se pavarësia është akt politik i njohur ndërkombëtarisht dhe i mbështetur nga aleatët strategjikë të Kosovës.

Në fund, Partia Demokratike e Kosovës rikonfirmon bindjen e saj në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe në legjitimitetin e luftës çlirimtare.

“Çdo përpjekje për kriminalizimin e kësaj lufte është përpjekje për rishkrim të historisë dhe për cenim të themeleve të shtetit të Kosovës. Liria nuk është krim. Dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon komunikata.