AUV bllokon produktin ushqimor për foshnja “BEBA SUPREM PRE” 800 gram

E publikuar: 06/02/2026 09:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është bllokuar produkti ushqimor për foshnja “Beba suprem pre” 800 gram pasi që është konstatuar se “Rossman & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Kosovë këtë produkt me afat të skadimit

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton opinionin publik se, bazuar në njoftimin zyrtar të pranuar nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, është konstatuar se subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.” në Shqipëri ka eksportuar në Republikën e Kosovës produkt ushqimor për foshnja BEBA SUPREM PRE, 800 gram, me datë skadimi 05.2027 dhe kod identifikues EAN: 7613287226631, importuar nga kompania Rossmann Kosova. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se, në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është bërë bllokimi i menjëhershëm i këtij produkti dhe se së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e AUV.

AUV thekson se pavarësisht sfidave me të cilat po përballen, megjithatë  po motiorojnë tregun.

“Pavarësisht sfidave me të cilat po përballet, përfshirë mungesën e inspektorëve, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe të zinxhirit ushqimor, me qëllim të garantimit që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm”, përfundon njoftimi.