Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka dhënë versionin zyrtar të autoriteteve serbe lidhur me arrestimin dhe ndalimin e Mit’hat Lozhanit, i cili sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) është ndaluar vetëm pse në xhep i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.
Daçiq ka deklaruar se Lozhani është arrestuar në Pikën Kufitare të Batrovcit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
“Shtetasi M.L. (1980) nga Peja është arrestuar dhe i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës do të sillet në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte me kallëzim penal”, ka deklaruar Daçiq.
Pas konfirmimit të arrestimit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar edhe disa fotografi, të cilat i ka cilësuar si prova ndaj Lozhanit.
Në njoftimin e plotë të MPB-së serbe thuhet se arrestimi është kryer nga Drejtoria e Policisë Kriminalistike dhe Shërbimi për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Agjencinë për Informacion dhe Siguri (BIA).
Sipas autoriteteve serbe, Lozhani dyshohet se gjatë viteve 1998–1999, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, ka marrë pjesë në trajnime dhe më pas në sulme kundër forcave serbe, si dhe në rrëmbimin dhe vrasjen e zyrtarëve policorë, në kuadër të një grupi që sipas Serbisë ishte i komanduar nga Ramush Haradinaj.
Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se i dyshuari, pas skadimit të masës së ndalimit 48-orësh, do t’i dorëzohet Prokurorisë për Krime Lufte për procedura të mëtejshme ligjore.


















