Artan Behrami nga Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale, duke akuzuar këtë institucion për intensifikim të përpjekjeve, në bashkëpunim me Serbinë dhe, siç tha ai, bashkëpunëtorë të saj në Kosovë dhe në Perëndim, për të ndërtuar një narrativë që synon pranimin e një dënimi të mundshëm ndaj krerëve të UÇK-së.
“Gjykata Speciale, bashkë me Serbinë dhe bashkëpuntorët e tyre në Kosovë dhe në perëndim, kanë intensifikuar përpjekjet për të nxjerrë nga moçali llumin e dezinformatave disa dekadëshe për të krijuar një ambient të pranimit të dënimit të mundshëm të krerëve të UÇK-së”, ka shkruar Behrami.
Ai ka shprehur shqetësim për, siç e cilësoi, praninë e vazhdueshme të njerëzve që i besojnë më shumë narracionit serb sesa protagonistëve të historisë së Kosovës.
“Pak e frikshme që edhe më tutje ka njerëz që më shumë i besojnë narracionit serb mbi historinë e Kosovës, sesa protagonistëve të kësaj historie”, ka theksuar ai.
Në këtë kontekst, Behrami ka bërë thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar qytetarët që të marrin pjesë në një marsh për drejtësi më 17 shkurt.
“Prandaj, më 17 shkurt, në ora 14:00, të gjithë në Sheshin Skënderbeu, marshojmë për drejtësi!”, ka përfunduar Behrami në postimin e tij.

















