Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ngritur një padi ndaj transmetuesit britanik BBC, duke kërkuar të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, për shkak të një dokumentari ku, sipas tij, është montuar në mënyrë të gabuar fjalimi i tij para trazirave në Kapitolin e SHBA-së më 6 janar 2021.
Padia u depozitua të hënën në një gjykatë federale në Miami dhe përfshin dy akuza: shpifje dhe shkelje të ligjit të Floridës për praktika mashtruese dhe të padrejta tregtare. Trump kërkon të paktën 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për secilën akuzë.
Trump akuzon BBC-në se ka bashkuar pjesë të fjalimit të tij, përfshirë thirrjen për të marshuar drejt Kapitolit dhe shprehjen “uftoni fort”, duke hequr pjesët ku ai bënte thirrje për protesta paqësore. Sipas tij, ky montazh krijoi përshtypjen e rreme se ai kishte nxitur dhunë.
“BBC ka vënë fjalë në gojën time. Ky është lajm i rremë”, deklaroi Trump për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
BBC ka kërkuar më herët ndjesë publike, ka pranuar një gabim gjykimi dhe ka deklaruar se montazhi mund të ketë krijuar një përshtypje të pasaktë. Megjithatë, transmetuesi britanik ka theksuar se nuk sheh bazë ligjore për padinë dhe se mbrohet nga liritë e shprehjes dhe shtypit të garantuara nga Kushtetuta amerikane.



















