Shorti Kosovën në play-off të Botërorit 2026 e vendosi kundër një shteti që nuk na e njeh pavarësinë.
Është kjo hera e parë që Dardanët do të përballen me Sllovakinë në një ndeshje zyrtare të FIFA-s, e është edhe hera e parë që skuadra mbërrin në këtë fazë eliminatore.
Trajneri i kombëtares sllovake, Francesco Calzona, tha se Kosova është një skuadër që po rritet dita-ditës, teksa përmendi edhe fitoret e ekipit tonë ndaj Suedisë e Sllovenisë në fazën e grupeve të kualifikimeve për Botëror.
“Kosova është një ekip që po rritet për sa i përket performancës së futbollit. Kanë gjetur rrugën dhe po e ndjekin, dhe tani janë duke i korrur frutet e para. Në kualifikimet për Botëror, ata kanë mposhtur Suedinë dhe Slloveninë, kanë barazuar në shtëpi ndaj Zvicrës. Ne duhet ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit vendas, edhe pse Kosova mbetet një kundërshtar i pakëndshëm dhe i fortë, madje edhe kur luan si mysafire”, tha Calzone.
Në shortin e zhvilluar në Cyrih ishte i pranishëm edhe asistenti i trajnerit të ekipit sllovak, Simone Bonomi, i cili u shpreh: “Kosova është pa dyshim një kundërshtar i vështirë. Në kualifikime e ka mposhtur dy herë Suedinë dhe ka fituar edhe ndaj Sllovenisë, pra ekipe që edhe ne i njohim mirë. Ka lojtarë shumë të mirë si Rrahmani, Muriqi, Vojvoda dhe të tjerë. Për herë të parë është kaq afër kualifikimit në Botëror, gjë që pa dyshim do t’u japë lojtarëve të tyre entuziazëm të madh. Fakti që luajmë në shtëpi mund të jetë një avantazh i yni, dhe njësoj e shoh edhe në rast të një finaleje të mundshme të Play-Off-it”, deklaroi Bonomi.
E sulmuesi i kombëtares sllovake, Ivan Schranz, tha se Kosovën nuk e njeh mirë, por shpreson se do ta studiojë deri në mars.
“Nuk kisha ndonjë të preferuar nga katër kundërshtarët e mundshëm, secili prej tyre është shumë i fortë. Tani kemi Kosovën, kështu që e pranoj, edhe pse për momentin nuk di shumë për këtë ekip. Por deri në mars, stafi ynë teknik sigurisht do të mbledhë shumë informacione dhe do ta analizojë kundërshtarin në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam i lumtur që luajmë në shtëpi, besoj se tifozët tanë do të vijnë në numër të madh dhe do të jenë pas nesh”, tha Schranz për faqen e Federatës së Futbollit të Sllovakisë.
E Agim Ademi, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, tha se beson që lojtarët e tij do të luftojnë për pjesëmarrje në finalen e play-offit, ndeshje e cila do të luhet në shtëpi.
Ndërkaq, trajneri i Kosovës, Franco Foda, tha se ndonëse Sllovakia ka një ekip shumë të mirë, “ekipi ynë ka shumë vetëbesim”.
Kosova do të luajë më 26 mars të vitit të ardhshëm gjysmëfinalen e play-offit kundër Sllovakisë si mysafir. Në rast të fitores, Dardanët do të përballen me fituesin e përballjes Turqi-Rumani, në finalen që do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” më 31 mars, 2026.

















