S’ka votë për Glauk Konjufcën, PDK këmbëngul në zgjedhje të parakohshme

E publikuar: 05/11/2025 21:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se dhënia përsëri e mandatarit Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca përbën humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të krizës institucionale, pasi tashmë është e qartë që askush nuk e ka shumicën për ta formuar qeverinë nga kjo legjislaturë.

Në mbledhjen e sotme të rregullt të Kryesisë, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, rezultatin e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve lokale dhe vazhdimin e angazhimit për fitore në balotazh, raporton KosovaPress.

Në këtë mbledhje u ripërsërit njëzëri qëndrimi se PDK nuk do të jep votë për asnjë mandatar nga LVV, dhe se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi, duke u kthyer qytetarëve të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja.
“Kriza e stërzgjatur gjatë këtij viti, e shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përveç dëmit politik, ka goditur çdo sektor, ndërsa rreziku që buxheti i shtetit të mos kalojë me kohë dhe që vitin e ardhshëm qytetarët të mbeten pa paga, e bën edhe më të domosdoshëm përshpejtimin e procesit drejt zgjedhjeve të reja”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtuTrump tregon afatin e ri për RusinëKryetari Memli Krasniqi u shpreh mirënjohës për angazhimin e secilit anëtar dhe përkrahës të Partisë Demokratike të Kosovës, që i mundësoi partisë rikthimin në vendin e parë pas 12 vjetësh sa i përket votës popullore në zgjedhjet lokale me 187.526 vota, me ç’rast PDK ka siguruar 206 ulëse gjithsej në Kuvendet Komunale, duke lënë prapa partitë e tjera.

Po ashtu, në këto zgjedhje lokale PDK ka arritur të rrisë numrin e votave në total për kandidatët për kryetarë komunash, duke u radhitur e dyta, si dhe ka fituar në tri komuna në raundin e parë.
Kryetari Krasniqi kërkoi nga kryesia që të vazhdojë angazhimin dhe mobilizimin për fitore në Mitrovicë, Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Klinë dhe Dragash, ku PDK është në garë, edhe në ditët e mbetura deri në balotazhin e 9 nëntorit.

Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje dje ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar për formimin e qeverisë së re, pas dështimit të Albin Kurtit për ta bërë këtë më 26 tetor, duke u bërë mandatari i parë që nuk merr votat e nevojshme ndonjëherë në historinë e Kosovës së pasluftës.