Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), theksoi se Kosova do të vazhdojë të punojë shumë për të arritur objektivat e saj në kuadër të rrugës për integrim në Bashkimin Evropian (BE).
Osmani këto komente i bëri në rrjetin social, Facebook ndërsa ka ndarë edhe një fotografi nga takimi që pati të mërkurën me shefen e diplomacisë të BE-së, Kaja Kallas, Bajram Begaj president i Shqipërisë, si dhe me përfaqësuesit e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Dje, në takimin tradicional të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, për përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor. Kosova, vendi më pro-evropian e më i sigurtë në Evropë, do të vazhdojë të punojë me përkushtim drejt integrimit në BE, në linjëzim të plotë me politikat e BE-së”, ka shkruar Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani i kishte kërkuar Kaja Kallas heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

















