Trajneri i Juventusit, Igor Tudor, ka shpallur listën e skuadrës për ndeshjen hapëse të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve kundër Borussia Dortmund, ku përfshihet edhe emri i Edon Zhegrovës.
Anësori kosovar, i cili u transferua nga Lille te Juventusi në ditën e fundit të afatit kalimtar, është për herë të parë në dispozicion të bardhezinjve dhe pritet që sonte të ketë mundësinë e debutimit me fanellën e Zonjës së Vjetër.
Zhegrova nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që nga dhjetori, por rikthimi i tij në listë shihet si një sinjal i qartë nga Tudor për të përfshirë menjëherë talentin kosovar në plane. Fillimisht ishte parashikuar që ai të rikthehej këtë fundjavë kundër Hellas Veronës, por tekniku kroat ka vendosur ta thërrasë tashmë për duelin e rëndësishëm në Signal Iduna Park.
Në listën e publikuar nga Juventusi për këtë takim është rikthyer edhe Francisco Conceição, i cili mungoi ndaj Interit, si dhe Andrea Cambiaso, që ka lënë pas pezullimin.
Juventusi e nis sonte në Dortmund aventurën evropiane, në një ndeshje ku sytë e shumë tifozëve do të jenë të kthyer drejt Zhegrovës, i cili mund të shkruajë faqen e parë të historisë së tij me bardhezinjtë.


















