Themelorja refuzon kërkesën për masë të sigurisë – DhTIK në pritje të shqyrtimit të padisë ndaj ZRRE-së

E publikuar: 11/07/2025 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), ka marrë aktvendimin refuzues të Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore të Prishtinës në lidhje me kërkesën tonë për sigurimin e masës së sigurisë ndaj aktit administrativ – njoftimit publik të ZRRE-së të datës 12.03.2025.

“DhTIK ka dorëzuar prova të mjaftueshme që dëshmojnë shkeljet e bëra nga ZRRE. Por, angazhimi ynë nuk ndalet me kaq”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, përpos kërkesës për masë të përkohshme, Dhoma në të njëjtën kohë, ka ushtruar padi ndaj ZRRE-së, e cila ende nuk është shqyrtuar nga gjykata.

“Dhoma së shpejti do të dal më masa të reja për të ndihmuar bizneset anëtare që të ushtrojnë padi ndaj ZRRE-së tek Gjykata Komerciale, e cila deri më tani ka pranuar shumë padi dhe tashmë ka nxjerrë aktvendimet e para që dëshmojnë se ZRRE ka bërë shkelje”, thuhet në reagim.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.

Bizneset e Kosovës kishin organizuar protesta kundër vendimit të ZRrE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.

Për anulimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, KosovaPress ka siguruar edhe një vendim që është marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative më 25 qershor 2025.

Ankesa në Gjykatë ishte dorëzuar nga avokati Agron Selimaj nga Prishtina.