Kurti lavdëron Pecin në ditën e intervistimit për kontratën milionëshe

E publikuar: 27/05/2025 21:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mbështetje dhe lavdata për ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, pikërisht në ditën kur ky i fundit u intervistua nga organet e hetuesisë në lidhje me kontratën e dyshuar prej 60 milionë eurosh për përpunimin e mbetjeve shtazore.

Peci u intervistua për pesë orë me radhë nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit, por është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, Kurti, përmes një postimi në Facebook me rastin e hapjes së Panairit “Agrokos & Agroturizëm 2025”, e ka vlerësuar lart punën e Pecit.

“Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë.

E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, ka shkruar Kurti në Facebook.