Limaj: Kosova në krizë institucionale, përgjegjësinë e bartin ata që kanë më shumë vota

E publikuar: 25/05/2025 18:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatmir Limaj është rizgjedhur kryetar i Nismës Socialdemokrate në Kuvendin e tretë zgjedhor të kësaj partie, ku morën pjesë mbi 350 delegatë.

Në fjalimin e tij pas rizgjedhjes, Limaj u zotua se nuk do të ndjekë politika që, sipas tij, ndërtohen mbi disponime ditore apo ndikime nga rrjetet sociale dhe ambientet joformale.

“Nuk kam bërë dhe as nuk do të bëj politika që imponohen nga disponimet ditore, nga rrjetet sociale apo nga kafet. Ne jemi këtu për vendime të vështira, por të drejta”, deklaroi ai.

Limaj e cilësoi situatën aktuale në vend si krizë institucionale dhe fajësoi për këtë partitë që kanë marrë më shumë vota nga qytetarët.

Ai theksoi se Nisma Socialdemokrate është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet për formimin e institucioneve, por brenda kufijve të mandatit që u ka dhënë elektorati.

“Përgjegjësinë për krizën e kanë ata që kanë më së shumti vota. Ne nuk mund ta marrim rolin e të tjerëve, por do të japim kontributin tonë aty ku na takon”, u shpreh Limaj.