Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses Kursin për Mbrojtje të Afërt, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë, në kuadër të Planit të Bashkëpunimit Dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2025.
Kursi, i pari i këtij lloji i zhvilluar ndonjëherë nga Policia Ushtarake e FSK-së, është realizuar nga instruktorët e certifikuar të kësaj njësie elitare, në bashkëpunim me instruktorë gjermanë dhe nën mbikëqyrjen e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS).
Pjesë e trajnimit kanë qenë teknikat e avancuara të qitjes me armë të shkurtër dhe të gjatë, taktikat e vetëmbrojtjes, lëvizja në formacione luftarake, si dhe manovrimet me automjete në situata të rrezikshme. Qëllimi kryesor i këtij kursi ishte ngritja e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të Policisë Ushtarake në fushën e Mbrojtjes së Afërt.
“Forca e Sigurisë së Kosovës vlerëson lart kontributin e instruktorëve gjermanë dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë në këtë proces. Përfundimi me sukses i këtij kursi kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale të Policisë Ushtarake”, thuhet në njoftimin zyrtar të FSK-së.

















