Vjosa Osmani: Selimi ofendoi mikun e madh amerikan

E publikuar: 05/05/2015 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ka quajtur fyese dhe jodiplomatike deklaratat e Zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës, Petrit Selimit karshi ish-Kongresistit Amerikan, Joseph DioGuardi, bërë të premten e kaluar në Info Magazinë, në Klan Kosova.

Selimi, i cili e quajti DioGardin “një pensionist të pozicionuar në një krah të caktuar polik kundër Qeverisë së Kosovës” dhe “pro opozitës”, e kishte krahasuar amerikanin edhe me politikanë serbë, si Jeremiq e Gjuriq.

“Deklaratat të tilla të ngutshme, që e krahasojnë një mik të madh të Kosovës me zyrtarë të një shteti që ka ushtruar gjenocid ndaj nesh, janë fyese dhe jodiplomatike”.

“Kontributi i Kongresistit DioGuardi në ngritjen e zërit kundër dhunës dhe terrorit serb në Kosovë, dhe më pas pro pavarësisë së Kosovës – është i padiskutueshëm. Ai ishte me ne dhe me kauzën tonë kur shumë pak njerëz anekënd botës e dinin se Kosova ekzistonte”, ka thënë Vjosa Osmani për KlanKosova.tv.

Kandidatja për Kryetare të ardhshme të LDK-së, e vlerëson të paharrueshëm kontributin e DioGuardit për Kosovën.

“DioGuardi ka qenë iniciues i pothuajse të gjitha rezolutave pozitive të dala nga Dhoma e Përfaqësuesve. Raportet e tij me kongresistët përkrahës të Kosovës, me anëtarë të tjerë të komisioneve për politikë të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, kanë bërë të mundur lobimin efikas tek ekzekutivi në SHBA”.

“Prandaj, puna e palodhshme që kongresisti DioGuardi ka bërë në dobi të kauzës tonë ka qenë dhe vazhdon të jetë një kontribut i pazëvendësueshëm”, pohoi Osmani për KlanKosova.tv

Deklaratat e Zëvendësministrit të Jashtëm Selimi ndaj ish-Kongresistit DioGuardi u bënë pasi që mediat shqiptare raportuar një lajm, ndonëse jo krejtësisht të konfirmuar, ku kryetari i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane e akuzonte Qeverinë e Kosovës si një “ndërmarrje reketimi, që prodhon vetëm shembuj flagrantë të korrupsionit”.